Protestat në disa qytete të Italisë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Incidente janë regjistruar në Romë, Torino, Milano, Firence dhe Bolonja, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë.
Në Romë, policia ka ndërhyrë ndaj protestuesve me autobotë uji, ndërsa në Torino demonstruesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe shishe në drejtim të forcave të rendit, të cilat janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Tensione janë raportuar edhe në Firence, ku protestuesit kanë marshuar drejt zonave tregtare luksoze, si dhe në Bolonja, ku hedhja e shisheve ka sjellë ndërhyrjen e policisë. Ndërkohë, në Milano, mijëra studentë kanë dalë në rrugë, ku janë regjistruar gjithashtu përplasje me efektivët.
Në Romë, 43 të rinj janë shoqëruar në komisariat pasi, sipas autoriteteve, u janë gjetur kapuçë, doreza dhe maska. Disa protestues kanë hyrë edhe në ambientet e Koloseut.
Autoritetet italiane kanë kryer kontrolle të gjera në Milano dhe në 20 qytete të tjera. Ndërkohë, është identifikuar personi që dyshohet se qëndron pas faqes në Instagram “Movimento 17 ottobre”, i cili po hetohet për nxitje të rënduar të kryerjes së veprave penale, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.


