
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numër 17.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik dhe të mundësive të barabarta për shqiptarët në këto komuna.
Kryeministri i Kosovës u është drejtuar gjithashtu shqiptarëve që ndodhen në Kosovë dhe kanë të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke u kërkuar të udhëtojnë drejt vendlindjes për të votuar.
“Më 29 shtator, prita në zyrën time drejtuesit e subjekteve politike shqiptare. Takimi përfundoi me marrëveshjen e tyre për të garuar së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta.
Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje.
Nesër, është dita kur duhet të shprehni vullnetin tuaj. Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje. Të gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar.
Sikurse, u bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, “Koalicionin Shqiptar”.
Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen.”