Monday / October 26 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Banka Financa Lajmet Kryesore Nga Vendi

Dividendët e bankave po “tkurren”

Share Share Icon

Shifrat tregojnë se dividendët e shpërndarë nga bankat pësuan rënie për të dytin vit radhazi në 2025-n. Një tendencë e ngjashme po vërehet edhe në tregun e mikrofinancës konsumatore, ndërkohë që dividendët në tregun e sigurimeve kanë ardhur në rritje.

 

Ersuin Shehu

Vlera e dividendëve të shpërndara nga bankat tregtare pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2025-n. Të dhënat e mbledhura nga “Monitor” në pasqyrat e audituara financiare të bankave tregtare, tregojnë se vlera e dividendëve të shpërndarë gjatë vitit 2025 ishte 13.2 miliardë lekë, në rënie për të dytin vit radhazi. Krahasuar me një vit më parë, dividendët e shpërndarë nga bankat pësuan rënie me 25%.

Shpërndarja e dividendëve në vitet e fundit ka reflektuar performancën pozitive të sektorit në periudhën pas pandemisë. Në harkun kohor 2022-2025, sektori ka shpërndarë gjithsej rreth 60 miliardë lekë dividendë.

Megjithatë, shpërndarja e dividendëve ngelet mjaft e polarizuar. Në pjesën më të madhe, dividendët e shpërndarë në vitet e fundit u takojnë pak bankave të mëdha të sektorit, kryesisht me kapital të huaj.

Këto banka janë të favorizuara nga madhësia e tyre dhe pjesa e lartë e tregut në depozita me norma përgjithësisht më të ulëta.

Kjo mundëson alokimin të një pjese të madhe të aktiveve në instrumente borxhi me risk më të ulët dhe me kosto më të ulët kapitali për të mbuluar aktivet me rrezik.

Një strukturë e tillë bilanci prodhon fitime më të mëdha në vlerë absolute, por edhe tepricë më të lartë kapitali mbi kërkesat rregullatore, duke krijuar më shumë hapësira për të shpërndarë dividendë.

Pjesa tjetër e bankave dhe sidomos ato me kapital vendas kanë hapësira më të vogla për të shpërndarë dividendë dhe vazhdon t’i japë përparësi rritjes.

 

Burimi: Pasqyrat e Audituara Financiare

 

Dominojnë bankat me kapital të huaj, pjesa e “luanit” për BKT dhe Raiffeisen

Lista e dividendëve në sektorin bankar vitin e kaluar kryesohet, me vlera të përafërta, nga Raiffeisen Bank Albania dhe Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

Për vitin e kaluar, Raiffeisen raportoi një vlerë dividendi prej 4.69 miliardë lekësh, në ulje me 13.1% krahasuar me një vit më parë. Raiffeisen Bank Albania kontrollohet 100% nga grupi austriak Raiffeisen, nëpërmjet kompanisë Raiffeisen SEE Region Holding GmbH.

Në katër vitet e fundit, për periudhën 2022-2025, Raiffeisen Bank ka shpërndarë gjithsej dividendë për një vlerë totale prej më shumë se 18.7 miliardë lekësh. Me këtë shifër, Raiffeisen është banka me vlerën e dytë më të lartë të dividendëve të shpërndarë në katër vitet e fundit.

Sipas informacionit të raportuar në pasqyrat financiare, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) për vitin 2025 shpërndau një dividend në vlerën e 4.63 miliardë lekëve, në ulje me 4.1% krahasuar me një vit më parë. BKT ka aksioner të vetëm grupin turk të biznesit Çalik.

Ndërkohë, BKT është banka që ka shpërndarë vlerën më të lartë të dividendëve në katër vitet e fundit, për një total prej 23.7 miliardë lekësh.

Të dhënat operative dhe të paaudituara deri në korrik të vitit 2026 tregojnë se BKT dhe Raiffeisen kanë shpërndarë përsëri dividendë edhe këtë vit.

Grupet e tjera bankare që veprojnë në Shqipëri për vitin 2025 kanë përfituar vlera modeste dividendësh.

Banka OTP Albania ka shpërndarë dividend në vlerën e 500 milionë lekëve, në rritje me 72% krahasuar me një vit më parë. OTP Albania ka për aksioner të vetëm grupin hungarez OTP Bank Nyrt.

Në total, për periudhën 2022-2025, OTP Albania ka shpërndarë dividendë totalë për vetëm 800 milionë lekë. Megjithatë, të dhënat operative të treguesit të fitimit të akumuluar tregojnë se OTP Albania ka shpërndarë një dividend në vlerë të madhe për aksionerin e saj gjatë vitit 2026.

Intesa Sanapolo Bank Albania për vitin 2025 nuk ka shpërndarë dividend, por një vit më parë kishte shpërndarë një dividend në vlerën e 4.34 miliardë lekëve.

Në katër vitet e fundit, Intesa Sanpaolo Bank Albania ka shpërndarë dividendë në vlerën e 6.15 miliardë lekëve. Gjithashtu, duke u bazuar në të dhënat paraprake operative, edhe Intesa Sanapolo ka shpërndarë përsëri dividend këtë vit.

Fibank Albania për vitin 2025 ka shpërndarë për aksionerin një dividend modest në vlerën e 100 milionë lekëve, ndërsa vitin e mëparshëm nuk kishte shpërndarë dividend. Edhe Fibank në katër e vitet e fundit ka shpërndarë dividendë në vlera të vogla, për vetëm 200 milionë lekë.

 

Burimi: Pasqyrat e Audituara Financiare

 

Bankat lokale, prioritet rritjes dhe dividendë modestë (përveç ABI)

Ndryshe nga bankat me kapital të huaj, për bankat vendase vlerat e dividendëve ngelen të vogla. Në përgjithësi, këto banka kanë vazhduar t’i japin përparësi rritjes së mëtejshme të tyre dhe ruajtjes së fitimeve të akumuluara si pjesë e kapitalit të bankës.

Përjashtim bën vetëm Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), që në vitet e fundit ka shpërndarë dividendë në vlera të konsiderueshme.

ABI shpërndau dividendin e tretë më të madh për të gjithë sistemin vitin e kaluar, për një vlerë prej më shumë se 2.6 miliardë lekësh. Dividendi i ABI Bank u rrit me 12.1% krahasuar me një vit më parë.

Në katër vitet e fundit, ABI Bank ka shpërndarë dividendë totalë në vlerën e 9.1 miliardë lekëve.

ABI Bank ka aksioner të vetëm institucionin financiar Tranzit, ndërsa pronari kryesor përfitues është Drejtori i Përgjithshëm i bankës, Andi Ballta. ABI Bank ka rezultuar ndoshta investimi më i leverdishëm në ciklin e shitblerjeve të dekadës së fundit në sektorin bankar.

Andi Ballta dhe grupi i tij partner NCH Capital, e morën bankën në vitin 2015 ndërsa në vitin 2018, ABI Bank u zgjerua më tej, duke blerë edhe bankën NBG Shqipëri.

Banka e dytë më e madhe në vend, Credins Bank, vitin e kaluar shpërndau një dividend të vogël, në shumën e rreth 170 milionë lekëve. Një vit më parë, Credins nuk kishte shpërndarë dividend, ndërsa gjithsej, në katër vitet e fundit, ka shpërndarë dividend për një vlerë totale prej 1.4 miliardë lekësh.

Aksionerë të Credins Bank janë një grup individësh dhe kompanish shqiptare.

Dividendë në vlera më të vogla vitin e kaluar shpërndau edhe Union Bank, në vlerën e 100 milionë lekëve. Dividendi i Union Bank ka qenë në këto nivele në të katër vitet e fundit, për një shumë totale prej 400 milionë lekësh.

Aksioner kryesor i Union Bank është institucioni financiar jobankar Union Financiar Tiranë, me përfitues fundorë disa investitorë shqiptarë.

Banka tjetër me kapital vendas, Tirana Bank, nuk ka shpërndarë dividendë në vitet e fundit. Tirana Bank ka zgjedhur të përdorë fitimet e akumuluara për të mbështetur rritje relativisht të shpejtë të aktiveve të bankës. Kjo ka bërë që teprica e kapitalit mbi kërkesat minimale të Bankës së Shqipërisë të jetë e vogël, çka rrjedhimisht nuk ka krijuar hapësira shumë të mëdha për shpërndarje dividendësh.

Dy bankat më të vogla të sistemit, ProCredit Bank Albania dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) në vitet e fundit nuk kanë shpërndarë dividendë, madje aksionerët kanë kryer injektime të reja kapitali. Të dyja këto banka kanë humbje të akumuluara në strukturën e kapitalit aksioner dhe nuk kanë hapësira për shpërndarje dividendësh.

Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në mesin e vitit 2026 bankat me kapital vendas zotëronin 37.8% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend. Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 2.6 pikë përqindje, ndërsa që prej vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve në sektorin bankar, pjesa e tregut e bankave vendase është rritur me afërsisht tre herë.

Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA). Të marra së bashku, këto banka në mesin e këtij viti kishin një kapital total prej 72.1 miliardë lekësh, afërsisht sa 32% e kapitalit total të sektorit bankar për periudhën.

Rritja e peshës së kapitalit vendas në tregun bankar nisi sidomos pas vitit 2015, kur një pjesë e grupeve bankare të Eurozonës vendosën gradualisht të dalin nga tregu shqiptar, me objektiv kryesor për të rimëkëmbur aktivitetet e tyre në tregje të tjera, pas efekteve të krizës financiare që pati zanafillën në vitin 2008.

Kjo krijoi hapësira për rritjen e peshës së kapitalit vendas në tregun bankar, qoftë nëpërmjet blerjes së bankave me kapitalit të huaj, por qoftë edhe duke treguar oreks më të madh për rritje organike, në një periudhë kur bankat me kapital të huaj në përgjithësi e frenuan rritjen, duke u fokusuar kryesisht në ruajtjen e cilësisë së portofolave.

 

 

Fitimet ranë me 1.5% vitin e kaluar

Të dhënat finale, të mbështetura në pasqyrat e audituara financiare, tregojnë se fitimi neto i sektorit bankar për vitin e kaluar, kishte vlerën e 34.6 miliardë lekëve, në rënie me 1.5% krahasuar me një vit më parë.

Frenimi i rritjes së fitimeve mund të shpjegohet me tendencën në rënie të normave të interesit të instrumenteve financiare gjatë vitit të kaluar, konkurrencës së lartë në tregun e kredisë, por edhe shpenzimeve më të larta për interesa. Këta faktorë e kanë ngushtuar marzhin neto nga interesat.

Presioni mbi shpenzimet e tjera të sektorit ngelet i lartë, sidomos nga rritja e kostos së punës dhe nevojat e larta për të investuar në digjitalizim dhe siguri kibernetike.

Edhe të dhënat paraprake të vitit 2026 tregojnë tendencë të ngjashme. Sipas shifrave paraprake dhe të paaudituara, të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për 6-mujorin 2026 fitimi i sektorit në vlerë absolute ra në 16.2 miliardë lekë, 8.5% më pak krahasuar me 6-mujorin 2025.

Duket se cikli i rritjes së fitimeve të sektorit bankar ka arritur pikun dhe duke filluar nga ky vit, sfidat për ruajtjen e përfitueshmërisë do të jenë në rritje. Rritja e normave të interesit mund të sjellë efekt fillestar pozitiv në bazën e të ardhurave, por, megjithatë, një periudhë e re inflacioniste do të shtojë rreziqet e lidhura me cilësinë e portofolit të kredisë.

 

Burimi: Pasqyrat e Audituara Financiare

 

Kërkesat për kapital janë shumë të larta

Ndërkohë që performanca financiare në vitet e fundit ka qenë pozitive për shumicën e bankave të sektorit, paralelisht edhe kërkesat rregullatore për kapital kanë ardhur në rritje.

Kjo ka kërkuar më shumë kapital prej bankave tregtare, jo vetëm për të mbuluar rritjen organike të aktiveve me rrezik, por edhe për të plotësuar kërkesat shtesë për kapitalizim.

Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar pësoi rënie në tremujorin e dytë të vitit, për shkak të zgjerimit të mëtejshëm të kreditimit, por edhe të uljes së kapitalit të sektorit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, ky tregues zbriti në 19.73%, nga 20.44% një tremujor më parë. Megjithatë, mjaftueshmëria e kapitalit është në rritje krahasuar me nivelin prej 19.25% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si dhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit reflekton edhe kërkesa të posaçme që aplikohen ndaj bankave të veçanta të sektorit. Kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike.

Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka Intesa Sanpaolo kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1%.

Bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa, duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, aktualisht raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat arriti në 15.5%.

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe e bëjnë sektorin më pak tërheqës për investime.

Bankat tregtare prej vitesh po kërkojnë që kërkesat për kapital të ulen në nivelin e Bashkimit Europian, ku raporti bazë i kërkuar është 8% dhe sipër tij llogariten kërkesat e tjera makroprudenciale dhe ato të lidhura me mekanizmin e “shpëtimit” të bankave.

Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë është se kjo do të jetë e mundur vetëm pas njohjes së plotë të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare nga Autoriteti Bankar Europian. Procesi i vlerësimit ka nisur vitin e kaluar dhe shpresohet që të mbyllet brenda këtij viti. Me njohjen e ekuivalencës së mbikëqyrjes

 

Obligacionet kalojnë vlerën e 45 miliardë lekëve

Bankat tregtare vazhdojnë të jenë kolona kryesore e tregut të obligacioneve të shoqërive tregtare në vend. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik, detyrimet e bankave tregtare në formën e letrave me vlerë të borxhit të emetuar, arritën shifrën e 45.1 miliardë lekëve, në rritje me 81.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.

Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi aplikimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit. Pesë bankat më të mëdha janë gjithashtu subjekt i përmbushjes së rregullores për kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Kjo rregullore ishte pjesë e kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe kërkon që bankat të zotërojnë instrumente të kapitalit rregullator apo detyrime të pranuara që të mundësojnë përthithjen e humbjeve dhe rivendosjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.

Dy rregullimet e mësipërme nxitën më shumë përdorimin e instrumentit të borxhit të varur nga bankat, si alternativë ndaj injektimeve të reja të kapitalit.

Përdorimi i borxhit të varur është gjithashtu një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionerët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij borxhi.

 

Dividendët e mikrofinancës pësuan rënie

Edhe në tregun e mikrofinancës, performanca financiare e kompanive kryesore ka vazhduar ecurinë pozitive. Megjithatë, fitimet kanë pësuar rënie, sidomos për shkak të paketës së masave të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur vazhdimisht normat maksimale të lejuara të interesit për kredinë konsumatore dhe ka vendosur kërkesa për aplikimin e kritereve më rigoroze për administrimin e rrezikut.

Sipas pasqyrave të audituara financiare, IuteCredit Albania e mbylli vitin me fitim neto në vlerën e 422 milionë lekëve, në rënie me 8.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa Kredo Finance (ECFA) raportoi fitim neto në vlerën e 593 milionë lekëve, në ulje me 90% krahasuar me vitin 2024.

Dividendët e sektorit të mikrofinancës u takojnë kryesisht këtyre dy institucioneve financiare, pasi institucioni tjetër NOA u bashkua vitin e kaluar me Bankën Amerikane të Investimeve.

Rënia e fitimeve është shoqëruar edhe me ulje të dividendëve të shpërndarë nga dy kompanitë e mësipërme. Vlera totale e dividendëve të shpërndarë arriti në 706 milionë lekë, 62% më pak krahasuar me një vit më parë.

Kredo Finance vitin e kaluar shpërndau dividend në vlerën e 550 milionë lekëve, 67% më pak krahasuar me një vit më parë. Kredo zotërohet në masën 95% nga grupi Eleving Consumer Finance Holding, me përfitues final biznesmenin letonez Aigars Kesenfelds.

IuteCredit shpërndau dividend në vlerën e 156 milionë lekëve, në rënie me 28% krahasuar me një vit më parë.

IuteCredit Albania zotërohet në masën 100% nga grupi financiar Iute Group AS, me përfitues fundorë biznesmenët estonezë, Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu.

 

Burimi: Pasqyrat e Audituara Financiare

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Barra e shtrenjtë e karburantit, 74% e të anketuarve shpenzojnë mbi 15 mijë lekë/muaj për naftë

Çmimet e larta të karburanteve po rëndojnë mbi buxhetet familjare dhe po ndryshojnë zakonet e përdorimit të automjeteve. Një anketë online e revist...

1 day më parë 18 Min Lexim

Ushqime të shtrenjta, bizneset ulën çmimet nga presioni i qeverisë, paralajmërojnë rritje në janar

Importuesit dhe prodhuesit pohojnë se ulja e çmimeve të produkteve ushqimore për periudhën 3-mujore tetor-janar, po arrihet përmes tkurrjes së marz...

1 day më parë 14 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!