Ekonomia në formë K-je nuk është thjesht një perceptim

Nëse shihni zhvillimet në tregjet financiare, tabloja që shfaqet është e pazakontë. Indeksi S&P 500 është rritur me më shumë se 90% në tre vjet. 10% e personave me të ardhurat më të larta tashmë përbëjnë pothuajse gjysmën e të gjitha shpenzimeve konsumatore.
Moody’s, Morgan Stanley dhe Rezerva Federale e Nju Jorkut bien dakord për formën që ka marrë ekonomia: ajo është ndarë në dy pjesë.
Zotëruesit e aktiveve po ngjiten përgjatë krahut të sipërm të shkronjës “K”, ndërsa ata që mbështeten te pagat po rrëshqasin poshtë në krahun tjetër, duke parë se si ushqimet, qiratë dhe sigurimet po u konsumojnë të ardhurat, të cilat nuk mjaftojnë më si më parë.
Analistët kanë reaguar ashtu siç bëjnë zakonisht: duke i vendosur fenomenit një etiketë. Përsëriteni mjaftueshëm termin “ekonomi në formë K” në lajme dhe emërtimi fillon të tingëllojë si shpjegim. Por nuk është i tillë.
Siç ka vërejtur Mark Thornton, gazetarët dhe ekonomistët e rrymës kryesore pëlqejnë t’u vendosin etiketa të thjeshta fenomeneve që nuk i kuptojnë, për të mbuluar mungesën e njohurive. Etiketa na tregon se çfarë po ndodh. Por nuk na tregon asgjë se përse po ndodh.
Ludwig von Mises e përshkroi me saktësi rëndësinë e kësaj çështjeje në Human Action:
“Lulëzimi i shoqërisë njerëzore varet nga dy faktorë: fuqia intelektuale e njerëzve të shquar për të konceptuar teori të shëndosha shoqërore dhe ekonomike dhe aftësia e tyre, ose e njerëzve të tjerë, për t’i bërë këto ideologji të pranueshme për shumicën.”
Faktori i parë është përmbushur prej kohësh: Cantillon e formuloi teorinë në vitin 1755, një shekull përpara lindjes së Shkollës Austriake, ndërsa Mises, Hazlitt dhe Rothbard ua kushtuan karrierën zhvillimit të mëtejshëm të saj.
Dështimi i faktorit të dytë është realiteti në të cilin jetojmë dhe ka një emër: atë që Murray Rothbard e quante padije ekonomike.
Tema më e diskutuar dhe më pak e studiuar në botë
Rothbard e formulonte problemin në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Nuk është krim të jesh i paditur rreth ekonomisë… Por është krejtësisht e papërgjegjshme të kesh një opinion të fortë për çështjet ekonomike, ndërkohë që vazhdon të jesh në këtë gjendje padijeje.”
Ekonomia ka një veçori. Askush nuk përpiqet t’i japë leksione elektricistit për tensionin elektrik, por pothuajse të gjithë kanë opinione të forta për çmimet, pagat dhe paranë, sepse këto çështje krijojnë përshtypjen se mund të kuptohen më lehtë.
Mosnjohja e elektricitetit nuk ndikon në mënyrën se si lëvizin elektronet; inxhinierët vazhdojnë punën pavarësisht kësaj.
Por, siç paralajmëronte Mises, opinioni publik përcakton në fund drejtimin e politikës ekonomike. Padija e përhapur ekonomike nuk mbetet vetëm në kutinë e votimit. Ajo shndërrohet drejtpërdrejt në politika të këqija dhe politikat e këqija prodhojnë rezultate të këqija.
Frédéric Bastiat e identifikoi natyrën e këtij gabimi që në vitin 1850: ekonomisti i dobët kufizohet tek efekti i dukshëm, ndërsa ekonomisti i mirë merr parasysh atë “që shihet dhe atë që nuk shihet”.
Henry Hazlitt e ndërtoi librin Economics in One Lesson mbi të njëjtën ide: për çdo politikë duhet të analizohen efektet afatgjata për të gjitha grupet, dhe jo vetëm ndikimi i menjëhershëm mbi grupin e favorizuar që shfaqet në titujt e lajmeve.
“K”-ja është reale dhe nuk përbën mister
Peter Atwater e përdori termin në fillim të periudhës së Covid-it: punonjësit e zyrave kaluan në Zoom, ndërsa kufizimet goditën rëndë punonjësit e sektorit të shërbimeve.
Ajo që nisi si një term për të përshkruar një rimëkëmbje të pabarabartë është shndërruar tashmë në një përshkrim të strukturës së ekonomisë.
Mark Zandi i Moody’s e cilëson këtë situatë “jo një fenomen ciklik apo të përkohshëm”, por një çështje strukturore dhe themelore. 40% e familjeve me pasurinë më të lartë kontrollojnë rreth 85% të pasurisë kombëtare; pjesa tjetër ndodhet në krahun e poshtëm të “K”-së.
Shpjegimet e ekonomisë tradicionale për këtë fenomen janë tepër të cekëta. Ose ato thjesht ripërshkruajnë situatën – të pasurit zotërojnë aksione, ndërsa të varfrit përballen me inflacionin – ose mbështeten në një narrativë të përgjithshme për lakminë kapitaliste.
Asnjëra, argumenton ai, nuk identifikon mekanizmin që qëndron pas fenomenit. Të dyja nënkuptojnë se zgjidhja është më shumë ndërhyrje shtetërore, pikërisht ajo që, sipas këtij këndvështrimi, ka shkaktuar problemin.

Rubineti i Cantillon
Ajo që padija ekonomike fsheh, është fakti se paraja nuk është neutrale.
Supozimi i teksteve ekonomike, i përfshirë në pothuajse çdo model të ekonomisë tradicionale, është se rritja e sasisë së parasë në qarkullim, e quajtur ndryshe paraja e re, i rrit të gjitha çmimet dhe pagat proporcionalisht dhe në të njëjtën kohë, njësoj si uji që mbush një vaskë.
Cantillon e kundërshtoi këtë ide që në vitin 1755. Paraja e re hyn në ekonomi në pika të caktuara dhe, ndërsa përhapet, rishpërndan fuqinë reale blerëse. Ata që janë më pranë burimit të parasë së re mund të shpenzojnë me çmimet e djeshme; ata që ndodhen më larg e marrin atë të fundit, pasi çmimet janë rritur.
Atëherë lind pyetja: ku ndodhet “rubineti” në sistemin e sotëm monetar, të bazuar te paraja e emetuar nga bankat qendrore?
Marrësit e parë janë bankat, korporatat e mëdha dhe huamarrësi më i madh nga të gjithë, qeveria federale amerikane.
Siç shpjegon Thornton, normat e interesit të mbajtura artificialisht të ulëta rrisin çmimet e aksioneve, obligacioneve dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa “të pasurit, sipas përkufizimit, janë zotëruesit më të mëdhenj të aktiveve fizike”.
Ndërkohë, “pagat dëmtohen nga rënia e fuqisë blerëse të monedhës”, ndërsa huamarrësit e mëdhenj shlyejnë kreditë e tyre me dollarë që kanë humbur vlerë, duke transferuar pasuri nga kursimtarët te debitorët.
Kjo nuk është metaforë. Kjo është ekonomia në formë K: efekti Cantillon, një nga mekanizmat themelorë të teorisë austriake të ciklit ekonomik.
Uashingtoni, argumenton ai, e ka mbushur ekonominë me shpenzime dhe ka mbajtur të ulëta normat e interesit për një çerekshekulli, duke e hapur plotësisht “rubinetin” pas viteve 2008 dhe 2020. Sipas këtij interpretimi, divergjenca nuk ishte një efekt anësor i politikës; ajo ishte rezultat i vetë politikës.
Thornton shton se, në një sistem monetar të mbështetur te mallrat, divergjenca të tilla nuk shfaqen; pagat, të ardhurat dhe pasuria lëvizin së bashku. Sipas kësaj pikëpamjeje, “K”-ja nuk është pamja e kapitalizmit, por pamja e sistemit të bankave qendrore.
Padija e shumëfishon gabimin
Për shkak se publiku dhe analistët nuk arrijnë të diagnostikojnë shkakun, ata kërkojnë zgjidhje që përsërisin të njëjtin gabim.
Recetat e zakonshme, lehtësimet tatimore dhe ulja e normave të interesit, do të japin efekt të kundërt, argumenton ai, sepse përsërisin të njëjtin proces që rrit çmimet e aktiveve dhe gërryen fuqinë e pagave.
Këtyre u shtohen kontrollet e çmimeve, tarifat doganore dhe çeqet stimuluese, secila prej të cilave shitet duke vënë në dukje efektin e saj të dukshëm, ndërsa pasojat e padukshme bien mbi të tjerët: “dritarja e thyer” e Bastiat e kthyer në politikë fiskale.
Kur Sekretari i Thesarit deklaron se ekonomia në formë K “ka marrë fund”, pyetja që shtrohet është: a mori fund sepse u ndal krijimi i parasë? Përgjigjja e tij është jo. “Rubineti” vazhdon të jetë i hapur. “K”-ja vazhdon të vizatohet.
Një shoqëri, dy gjysmat e së cilës lëvizin në drejtime të kundërta, nuk mund të mbetet e qetë pafundësisht.
Familja në krahun e poshtëm të “K”-së mund të mos ketë lexuar asnjë faqe të Shkollës Austriake, por mund të lexojë gjendjen e llogarisë bankare dhe e kupton se sistemi nuk po funksionon në favor të saj.
Problemi i padijes është se zemërimi drejtohet ndaj objektivit të gabuar: ndaj kapitalizmit në vend të bankave qendrore, ndaj fqinjit në vend të atij që krijon paranë, ndaj “të pasurve” në vend të politikës që e ka kthyer afërsinë me paranë e re në një rrugë drejt pasurimit.
Çdo demagog në histori e ka shfrytëzuar këtë zemërim dhe rezultati ka qenë gjithmonë i njëjtë: më shumë ndërhyrje, më shumë inflacion, më shumë pabarazi në ecurinë ekonomike dhe më shumë zemërim.
Demagogët po fitojnë pikërisht në faktorin e dytë të Mises. Ata dinë si ta bëjnë një ideologji të pranueshme për shumicën. Kështu gabimi ekonomik shndërrohet në trazira shoqërore dhe trazirat në diçka më të rrezikshme. “K”-ja nuk është thjesht një kuriozitet ekonomik; ajo është një fitil.
Kura e dhimbshme
Mises mësonte se idetë sundojnë botën, çka e bën ekonominë në formë K fillimisht një problem intelektual dhe më pas një problem monetar.
Zgjidhja monetare është e lehtë për t’u përshkruar, por jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbatuar: shkurtime të thella të shpenzimeve, eliminim programesh, norma interesi të përcaktuara nga tregu dhe, në fund, një sistem monetar të qëndrueshëm, ku paraja nuk mund të krijohet sipas vendimit të një komiteti.
Por duhet pranuar se çfarë përfshin një korrigjim i tillë: dhimbje.
Shkurtimet reale nënkuptojnë ndërprerjen e pagesave reale. Normat e interesit të përcaktuara nga tregu nënkuptojnë që çmimet e aktiveve të bien në nivelet që mund të mbështeten nga realiteti ekonomik dhe jo nga krijimi i parasë.
Një çerekshekulli investimesh të keqorientuara do të duhet të likuidohet: biznese do të mbyllen dhe vende pune do të humbasin.
Por, sipas këndvështrimit të Shkollës Austriake, recesioni nuk është sëmundja; ai është procesi i shërimit.
Dëmi është shkaktuar gjatë periudhës së bumit, kur kredia artificialisht e lirë e ka orientuar kapitalin drejt sipërmarrjeve që nuk mund të ishin ekonomikisht të qëndrueshme.
Çdo ulje e normave të interesit dhe çdo paketë e re shpenzimesh që shtyn përballjen me problemin vetëm sa e zmadhon korrigjimin e ardhshëm.
Sipas këtij argumenti, duhet t’u trembemi periudhave të bumit dhe jo rënieve. Bumi është periudha kur pasuria shkatërrohet; rënia është thjesht momenti kur ky shkatërrim pranohet.
Themelet për një botë më të mirë
Kjo na rikthen te dy faktorët e Mises.
Ekonomia nuk është thjesht një disiplinë akademike. Ajo është studimi i mënyrës se si njerëzit bashkëpunojnë në mënyrë paqësore dhe manuali i funksionimit të të vetmit sistem që ka arritur t’i nxjerrë njerëzit e zakonshëm nga varfëria: shkëmbimi i lirë i mbështetur në një sistem monetar të qëndrueshëm.
Një shoqëri që kupton marrëdhënien shkak-pasojë nuk mund të shtyhet lehtësisht drejt kërkesave për politika që e varfërojnë atë. Një shoqëri që nuk e kupton këtë marrëdhënie do të vazhdojë të shkëmbejë lirinë me stimuj financiarë dhe ta quajë faturën e tyre dhembshuri.
Beteja, pra, është ajo që Mises e përshkroi në Human Action: beteja kundër gabimit. Jo duke kërkuar nga shteti një rishpërndarje më të drejtë të pasurisë, por duke kuptuar shkaqet dhe pasojat e politikave ekonomike dhe duke ua shpjeguar ato edhe të tjerëve – fëmijëve, kolegëve dhe fqinjëve.
Çdo person që kupton se përse paraja e re pasuron ata që janë më pranë burimit të saj dhe varfëron ata që janë më larg është një votues më pak që kontribuon në zgjerimin e “K”-së dhe një tullë më shumë në themelet e një bote më të lirë.
Mendimtarët e shquar e kanë bërë pjesën e tyre. Cantillon, Bastiat, Mises, Hazlitt dhe Rothbard: teoritë janë formuluar dhe janë shkruar në një gjuhë të kuptueshme, ndërsa një pjesë e madhe e tyre është e disponueshme falas.
Faktori i dytë mbetet ende i papërmbushur.
Shoqëria ka përparuar shumë në drejtimin e gabuar dhe kthimi pas do të kalojë përmes një krize ekonomike, për të cilën përgjegjësia do t’u atribuohet të gjithëve, përveç atyre që e shkaktuan.
Mises nuk kërkonte një ushtri. Ai kërkonte burra dhe gra me guximin për ta bërë të vërtetën të pranueshme për një shumicë të ushqyer prej kohësh me ide të gabuara. Thirrja është e drejtpërdrejtë: bëhuni një prej tyre./ Mises.org
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









