Vendosni fjalën kyçe....

Francë, afro 1,000 të arrestuar pas protestave masive, përplasje me policinë në disa qytete


Afro 1,000 persona janë arrestuar në Francë pas një dite tjetër protestash masive, të cilat u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe policisë në disa qytete. Sipas autoriteteve, të shtunën morën pjesë qindra mijëra qytetarë.

Ministria e Brendshme vlerësoi se në protesta u përfshinë rreth 410 mijë persona, ndërsa sindikatat pretenduan se numri arriti në rreth 800 mijë.

Demonstratat nisën kryesisht në mënyrë paqësore, por në orët e vona policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat në disa qytete, përfshirë Parisin. Në Marsejë u dogjën barrikada të improvizuara, ndërsa në Bordo protestuesit shkulën dërrasa nga një ndërtesë për të bllokuar rrugët.

Autoritetet kishin angazhuar rreth 70 mijë efektivë policie dhe kishin vendosur kufizime në disa qytete, me synimin për të parandaluar përsëritjen e trazirave të javës së kaluar, kur u raportuan grabitje të shumta dhe zjarrvënie.

Në Paris, përplasjet shpërthyen pas përfundimit të një marshimi paqësor nga Porte d’Italie drejt Porte de Vincennes. Disa protestues ngritën barrikada dhe hodhën sende drejt policisë, ndërsa efektivët ndërhynë ndaj grupeve të të rinjve të maskuar që po thyenin xhamat e një koncesionari makinash.

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez deklaroi se në fund të ditës ishin arrestuar afro 1,000 persona, duke paralajmëruar se numri mund të rritej. Ai bëri të ditur gjithashtu se dy persona kishin mbetur të plagosur rëndë, njëri në Tuluzë dhe tjetri në Clermont-Ferrand.

Përplasjet u shënuan edhe në Marsejë dhe Lion. Në qytetin e Lionit, policia përdori granata me gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë që, sipas raportimeve, ishte mbledhur në një zonë ku protestat ishin të ndaluara.

Protestat lidhen me pakënaqësitë për koston e jetesës dhe kushtet e dobëta në shkolla. Presidenti Emmanuel Macron kishte vendosur më herët gjatë javës që të lejoheshin vetëm demonstratat e organizuara nga sindikata të njohura.

Ndërkohë, qindra persona janë dënuar me burg për vandalizëm, zjarrvënie dhe grabitje pas gjykimeve të përshpejtuara.

Disa protestues thanë për BBC-në se ndihen të braktisur nga qeveria dhe kërkojnë ndryshime në vend.

Një 26-vjeçare në Paris u shpreh se qytetarët janë të zemëruar për taksat dhe vështirësitë ekonomike, ndërsa një protestues i ri argumentoi se varfëria dhe dhuna policore ushqejnë zemërimin, megjithëse pranoi se grabitjet nuk janë të pranueshme.