Qytetarët e Serbisë po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat në pesë vitet e fundit.
Gara vë në provë pushtetin 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS), përballë Listës Studentore, një lëvizje e dalë nga protestat kundër korrupsionit.
Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00 deri në 20:00. Të drejtë vote kanë rreth 6.45 milionë qytetarë, të cilët do të zgjedhin 250 deputetët e parlamentit.
Vuçiçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit në fund të shtatorit, pasi nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë. Ai synon të rikthehet në postin e kryeministrit, të cilin e mbajti nga viti 2014 deri në vitin 2017.
Për herë të parë prej shumë vitesh, partia në pushtet përballet me një sfidë të fortë nga lëvizja studentore, e cila u formua pas protestave masive kundër qeverisë dhe korrupsionit. Analistët e përshkruajnë garën si një nga më të paparashikueshmet e viteve të fundit.
Protestat nisën pas shembjes së strehës së rindërtuar të stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Dyshimet për korrupsion dhe parregullsi në projekt shkaktuan zemërim publik, ndërsa qeveria i mohoi akuzat.
Fushata është shoqëruar me shqetësime për manipulime të mundshme zgjedhore.
Radio Evropa e Lirë raportoi se rreth 500 mijë persona ishin regjistruar për të votuar pa adresë të plotë, ndërsa janë evidentuar edhe regjistrime të shumta në objekte publike dhe banesa. Autoritetet serbe i kanë hedhur poshtë akuzat për parregullsi.
Vëzhgues ndërkombëtarë kanë ngritur gjithashtu shqetësime për kushtet e zgjedhjeve. Pas votimeve të vitit 2023, ata raportuan parregullsi, përfshirë transportimin e votuesve nga Bosnjë e Hercegovina dhe frikësimin e qytetarëve.
Një tjetër çështje në qendër të garës është politika e jashtme. Vuçiçi synon të ruajë marrëdhëniet e ngushta me Rusinë dhe Kinën, duke vazhduar njëkohësisht rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës.
Lëvizja studentore e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të programit të saj, por edhe ajo kundërshton sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështet qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës.
Për këtë arsye, një ndryshim i mundshëm i pushtetit nuk pritet të sjellë domosdoshmërisht ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës. Në një memorandum të publikuar në maj, studentët e cilësuan Kosovën si pjesë të patjetërsueshme të Serbisë, duke konfirmuar vazhdimësinë e këtij qëndrimi edhe përtej përplasjeve të brendshme politike.
