Policia e Shtetit reagon pas protestës: 5 efektivë të plagosur, AMP dhe Prokuroria hetojnë lëndimin e 28-vjeçarit, pezullohet një efektiv i “Shqiponjave”

Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke bërë me dije se gjatë tubimit janë plagosur pesë punonjës policie, ndërsa kanë nisur hetime për rastin e lëndimit të një 28-vjeçari dhe është pezulluar nga detyra një efektiv i dyshuar për tejkalim kompetencash.
Sipas njoftimit zyrtar, para nisjes së protestës së 24 tetorit, Policia e Shtetit kishte bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kishte udhëzuar strukturat dhe efektivët e angazhuar në terren të tregonin vetëpërmbajtje dhe të zbatonin parimin e proporcionalitetit në rast përballjeje me veprime të dhunshme.
Sipas Policisë, protesta, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u zhvillua në disa zona të kryeqytetit, u shoqërua me sulme ndaj forcave të rendit. Në njoftim thuhet se punonjësit e policisë janë goditur për orë të tëra me gurë, shkopinj, mjete metalike, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
Si pasojë e këtyre incidenteve, pesë efektivë policie mbetën të plagosur gjatë ushtrimit të detyrës.
Në lidhje me rastin e 28-vjeçarit E.V., i cili pësoi dëmtim në sy gjatë protestës, Policia bën të ditur se Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të procedurave hetimore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për të zbardhur në mënyrë të plotë dhe të paanshme rrethanat e ngjarjes.
Paralelisht, edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për dokumentimin dhe sqarimin e rastit.
Policia e Shtetit ka shprehur keqardhjen për lëndimin e të riut, duke i uruar atij shërim të shpejtë, njësoj si qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë që pësuan lëndime gjatë protestave.
Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv policie shfaqej duke tejkaluar detyrën dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka vendosur pezullimin nga detyra të punonjësit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor A.K.
Ndaj efektivit të pezulluar, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar veprimet e kryera gjatë protestës.
Në përfundim të reagimit, Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve mbetet detyrim parësor i saj dhe se çdo rast i dyshuar për tejkalim të kompetencave do të hetohet me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Institucioni nënvizon se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore, duke shtuar se nuk do të tolerohet asnjë veprim që cenon të drejtat e qytetarëve apo bie në kundërshtim me standardet profesionale të Policisë së Shtetit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




