Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës masive të studentëve dhe të rinjve të zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, duke u ndalur te plagosja në sy e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli dhe denoncimet për dhunë nga efektivët e policisë.
Në reagimin e saj, Policia bën të ditur se Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të zbardhur rrethanat në të cilat i riu pësoi dëmtimin e rëndë në sy.
Për këtë incident kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Ndërkohë, një tjetër rast i rëndë ka sjellë pezullimin nga detyra të një efektivi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Bëhet fjalë për inspektorin A. K., i cili, sipas njoftimit të Policisë, është shfaqur duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjatë pamjeve të publikuar në media qytetari mbeti i shtrirë në tokë, pa ndjenja, pas një përplasjeje me policinë. Sipas pamjeve nga vendngjarja, protestuesi u godit me shkop gome nga efektivi i policisë.













