
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike bilancin paraprak të personave të lënduar gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Sipas të dhënave nga strukturat shëndetësore, gjithsej 23 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mes tyre protestues, gazetarë, efektivë policie dhe një deputet.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 persona: 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie. Mes protestuesve ishte edhe 28-vjeçari Erion Vishkulli, i cili pësoi dëmtim në sy.
Sipas Ministrisë, i riu iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme. Për vijimin e trajtimit, është parashikuar një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët specialistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Dëmtimi i të riut dyshohet se është shkaktuar nga një fishek gome i qëlluar nga policia. Rrethanat e incidentit po hetohen nga institucionet përkatëse.
Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur pesë persona të tjerë: një deputet i Kuvendit, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas Ministrisë, të gjithë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë policie janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë trajtimin përkatës dhe më pas janë larguar.
Protesta e 24 tetorit u shoqërua me përplasje dhe akte dhune në disa zona të kryeqytetit. Bilanci i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë është paraprak dhe bazohet në të dhënat e strukturave spitalore dhe poliklinikave.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
PËRDITËSIM informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së djeshme, 25 tetor 2026, oa 09:15
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat informon se gjatë protestës së datës 24 tetor 2026 në strukturat shëndetësore janë paraqitur 23 të lënduar:
*Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar:
– 12 protestues. Njëri prej të cilëve i lënduar në sy.
– 2 përfaqësues të medias.
– 2 efektivë policie.
Për protestuesin e lënduar në sy: është kryer dje ndërhyrja kirurgjikale e urgjencës. Sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar, me ekip të përbashkët profesionistësh të SUT dhe QSUT për të përcaktuar vijueshmërinë e trajtimit.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë paraqitur:
– 1 deputet i Kuvendit
– 1 protestues
– 2 efektivë policie
– 1 përfaqësues i medias
Të lënduarit kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë ambjentet e QSUT.
Poliklinika e Specialiteteve Nr.2, Tiranë janë paraqitur:
– 2 efektivë policie, të cilët kanë marrë trajtim e nevojshëm dhe janë larguar.