Për më shumë se gjashtë orë, protestuesit rikthyen kaosin në rrugët e Tiranës, pas tri ditësh qetësie relative. Protesta e 24 tetorit u shoqërua me akte dhune, hedhje molotovësh dhe dëmtime në disa institucione publike, banka dhe biznese private.
Nën shënjestrën e protestuesve të maskuar u vunë Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës. Flakët përfshinë edhe derën e Ministrisë së Bujqësisë, por u shuan në kohë, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër të godinës.
Molotovë u hodhën edhe në drejtim të Teatrit të Kukullave, i cili pësoi dëme. Sulme pati gjithashtu ndaj Bankës së Shqipërisë, ku u hodhën lëndë piroteknike dhe u thyen disa kamera sigurie. Në disa raste, protestuesit tentuan të sulmonin me fishekzjarrë edhe selinë e Partisë Socialiste.
Gjatë përshkallëzimit të protestës, u shënjestruan edhe banka të nivelit të dytë dhe biznesi i një kompanie celulare, ku u thyen xhamat.
Përplasjet sollën edhe të lënduar. Dy efektivë policie u dëmtuan në këmbë nga flakët e lëndëve piroteknike, ndërsa një protestuese u godit në kokë nga një gur. Një tjetër protestues u lëndua nga një fishek gome në afërsi të syrit.
Policia ndërhyri me autobotë me ujë, gaz lotsjellës, spraj me piper dhe fishekë gome. Pas përplasjeve të para pranë Ministrisë së Arsimit, efektivët i ndoqën grupet e protestuesve drejt qendrës së Tiranës, duke i zhvendosur brenda pak minutash nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Më pas, protestuesit u shpërndanë në drejtime të ndryshme dhe një pjesë e tyre iu drejtua Kryeministrisë.
Sipas përshkrimit të ngjarjeve, protestuesit e maskuar përdorën gurë, kapsolla dhe fishekzjarrë, ndërsa policia ndërhyri për të shpërndarë turmën dhe për të vënë nën kontroll situatën.
13 persona morën ndihmë mjekësore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se 13 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore për të marrë trajtim pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Mes tyre ka protestues, efektivë policie dhe përfaqësues të medias.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur nëntë persona, shtatë protestues dhe dy përfaqësues të medias. Pesë prej tyre kanë dalë nga spitali pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa katër protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor.
Njëri prej protestuesve ka dëmtime në sy dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një efektiv policie. Të dy janë larguar pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Dy efektivë të tjerë të policisë, të lënduar në sy, janë trajtuar në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë dhe më pas janë larguar nga ambientet e saj.
Bilanci mjekësor mbetet paraprak, ndërsa katër protestues vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës.


