“Çdo akt dhune do hetohet”, ministri Demo për protestën: Persona të maskuar qëlluan Policinë, para ligjit përgjegjësi pa përjashtim

25/10/2026 11:20

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar për protestën e dhunshme të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronave publike e private.

Demo thekson se aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës, ndërsa kërkon hetimin e çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga efektivët e policisë, përfshirë rastin e të riut të lënduar në sy.

Ai shprehet se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët, por nënvizon se përgjegjësia përpara ligjit duhet të jetë e njëjtë për të gjithë.

“Dje, qendra e Tiranës u përball sërish me një valë të rëndë dhune. Persona të maskuar sulmuan punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, mjete piroteknike, shkopinj e sende të forta, dëmtuan institucione publike, shkatërruan dhe plaçkitën prona private, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe të forcave të rendit.

Këto akte nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën paqësore dhe me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës dhe as të përdoren si instrument politik për destabilizimin apo goditjen e institucioneve të vendit.

Përgjegjësia nuk kufizohet domosdoshmërisht tek autorët e drejtpërdrejtë. Çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike apo grupimeve ekstremiste, duhet të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazën e provave.

Për çdo shkelje të ligjit do të kërkohet përcaktimi i përgjegjësisë individuale dhe, sipas rastit, përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private, në përputhje me procedurat ligjore.

Por dua të jem po aq i qartë edhe për një parim tjetër themelor: ligji është i njëjtë për të gjithë, edhe për ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit.

Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri. Pezullimi i punonjësit të Policisë dhe nisja e hetimeve për rastin e të riut të lënduar në sy janë hapa konkretë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive mbi bazën e provave.

Çdo qytetar dhe çdo punonjës policie i lënduar meriton vëmendje, kujdes dhe respekt. Siguria publike është, mbi të gjitha, mbrojtje e jetës dhe e integritetit fizik të njerëzve.

Shpreh mbështetjen dhe mirënjohjen time për punonjësit e Policisë së Shtetit që, në kushte të vështira dhe përballë rrezikut, vijojnë të përmbushin detyrën e tyre. Kjo detyrë kërkon vendosmëri, por gjithmonë profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.

Në Francë, në Itali, në Shqipëri apo në çdo demokraci europiane, parimi është i njëjtë: liria e protestës mbrohet, ndërsa aktet e dhunës trajtohen sipas ligjit.

Qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, por dhuna nuk mund të jetë mjet presioni ndaj institucioneve dhe as të zëvendësojë dialogun demokratik.

Detyra jonë është të garantojmë që çdo qytetar të protestojë i lirë dhe i sigurt, që Policia të ushtrojë autoritetin e saj vetëm brenda kufijve të ligjit dhe që askush të mos qëndrojë mbi të.

Vendosmëri ndaj dhunës. Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim”, deklaroi ai.

Top Channel