Real Madrid merr një goditje pak orë përpara El Clasicos me Barcelonën e vlefshme për javën e 10 të La Liga. Skuadra madrilene humbet shërbimin e portierit Thibaut Courtois për shkak të gjendjes gripale.

Vetë Reali i Madridit e bëri të ditur përmes një komunikate për shtyp ku theksonte gjithashtu se në skuadrën e parë u thirr portieri i ri Ilia Voloshyn për t’iu bashkuar skuadrës.

Por në orët e fundit në median spanjolle filloi të qarkullojë një lajm surprizë. Mungesa e portierit belg në El Clasico nuk është 100% e sigurt. Sipas gazetarit Mario Cartagena, Courtois është optimist për të qenë në fushën e lojës ndaj El Clasico pavarësisht komunikatës zyrtare të Realit të Madridit. Ndërsa sipas të përditshmes El Mundo Deportivo, Courtois do të bëjë gjithçka që të jetë në fushën e lojës. Ai nuk u nis me skuadrën në drejtim të Barcelonës, por nëse gjendja e tij përmirësohet belgu do të udhëtojë për në kryeqendrën katalanase për të qenë në El Clasico.

Në sfidën e mbrëmjes së kësaj të diele, janë në lojë më shumë se 3 pikët. Nga njëra anë Reali do të kërkojë të fitojë jo vetëm për të shkurtuar diferencën me katalanasit, por edhe për t’i dhënë fund hegjemonisë së Barcelonës në La Liga e për ta penguar atë të vendosë rekordin e ri me 10 ndeshje radhazi në 10 të tilla të fituara.

Nga ana tjetër Barcelona do të kërkojë që t’i japë një tjetër goditje Realit të Madridit dhe t’i shkëputet në 9 pikë për të vulosur në të njëjtën kohë edhe autoritetin e saj në një klimë tensioni maksimal mes dy klubeve në nivel institucional.

Top Channel