Vendosni fjalën kyçe....

Regjistër për protestuesit e dhunshëm dhe kontrolle në kufi, Rama: Do të gjeni belanë edhe në Europë


Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ligjore ndaj personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestave, përfshirë krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik dhe kontrolle të shtuara në kufi.

Sipas Ramës, regjistri do të përmbajë të dhënat e personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik. Ai deklaroi se Policia Kufitare dhe e Emigracionit do të zbatojë kompetencat ligjore për të kufizuar daljen nga vendi të personave që synojnë t’u shmangen dënimeve ose masave ligjore.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se autoritetet shqiptare do të informojnë strukturat e vendeve pritëse dhe kompanitë e transportit ajror, detar dhe hekurudhor për personat që konsiderohen të rrezikshëm.

Duke iu referuar protestës së fundit në Tiranë, Rama pretendoi se në të kishin marrë pjesë edhe persona të ardhur nga jashtë vendit, të cilët i cilësoi si mercenarë.

“Çdo dhunues të jetë i bindur, qoftë me banim në Tiranë apo ata që erdhën dje nga Spanja si mercenarë për të ushtruar dhunë, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë pa mbaruar punë me ligjin këtu në Tiranë”, deklaroi Rama.

Në paketën e paralajmëruar përfshihen edhe masa kundër thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Sipas kryeministrit, kur Policia identifikon postime të tilla, fillimisht do të kërkojë fshirjen e tyre dhe mospërsëritjen e veprimeve, ndërsa në rast moszbatimi do të veprohet sipas ligjit, përfshirë ndjekjen penale.

Rama njoftoi gjithashtu se synon të përfshijë në Kodin Penal ndëshkime për personat që fshehin identitetin gjatë protestave me qëllim ushtrimin e dhunës, duke iu referuar modelit francez.

Sipas tij, mbajtja e sendeve të rrezikshme mund të dënohet deri në dy vite burg, ndërsa mbulimi i fytyrës për të kryer akte dhune me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg. Përjashtim do të bëhet për mbulimin e fytyrës për arsye fetare ose shëndetësore.

Kreu i qeverisë tha se nxitja e dhunës në internet do të ndëshkohet kur krijon rrezik real dhe të afërt, me dënime më të rënda kur thirrjet u drejtohen fëmijëve ose pasohet nga akte dhune.

“Regjistri i posaçëm elektronik do të krijohet për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik.

Do të administrohet nga policia dhe do të mbajë të dhënat e këtyre personave.

Policia Kufitare dhe e Emigracionit, për çdo dhunues, do të ushtrojë të drejtën që i jep ligji për kontrollin e kufirit shtetëror, për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’u shmangen dënimeve apo masave për këto vepra.

Do të njoftohen edhe strukturat e vendeve pritëse për rrezikun e këtyre personave, përfshirë edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale, kur identifikohen nga policia, do të pasohen nga një njoftim për fshirjen e postimit dhe mospërsëritjen e tij, duke ofruar edhe mbështetje psikologjike nëse ka nevojë.

Nëse postimi nuk fshihet, policia vepron sipas ligjit, përfshirë ndjekjen penale.

Identifikimi i personave të maskuar, fshehja e identitetit të personave në protestë është e ndaluar bazuar në ligjin ekzistues. Do ta përfshijmë në Kodin Penal, duke ndjekur modelin francez.

Kush kapet me sende të rrezikshme dënohet deri në dy vite burg. Mbajtja e maskës për të dhunuar, fshehja e fytyrës ndëshkohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Nuk ndëshkohet kush e mbulon fytyrën për arsye fetare apo shëndetësore.

Nxitja për dhunë edhe në rrjetet sociale ndëshkohet kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt. Dënimi është më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve ose pas saj ndodh dhuna.

Gazetaria dhe thirrjet politike nuk ndëshkohen kurrsesi.

Kanosja online ose publike dënohet si vepër më e gjerë. Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale, me fytyrën e një personi, bëhen vepër penale. Satira nuk ndëshkohet kur është e shënuar si e tillë.”- u shpreh Rama.

Ai theksoi se gazetaria dhe thirrjet politike nuk do të ndëshkohen, ndërsa kërcënimet publike ose online dhe videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale do të përfshihen në parashikimet e reja ligjore. Sipas tij, satira do të përjashtohet nga ndëshkimi kur identifikohet qartë si e tillë.

Propozimet e bëra publike nga Rama vijnë pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, përdorim molotovësh dhe dëmtime të pronës publike e private. Masat e paralajmëruara janë propozime për ndryshime ligjore dhe zbatimi i tyre do të varet nga përmbajtja përfundimtare e akteve dhe procedurat përkatëse ligjore.