Bota

Trazirat në Barcelonë/ Mbi 100 të arrestuar dhe 14 biznese të dëmtuara e të plaçkitura

Incidente të rënda janë regjistruar të shtunën pasdite në qendër të Barcelonës, gjatë një proteste të organizuar përmes rrjeteve sociale me sloganin “Kundër sistemit”. Si pasojë e trazirave, 14 biznese u dëmtuan dhe u plaçkitën, ndërsa dëme u shkaktuan edhe në stacionet e autobusëve dhe kazanët e mbeturinave.

Situata e tensionuar detyroi disa dyqane të mbyllnin dyert, duke lënë qindra qytetarë të bllokuar brenda ambienteve tregtare për arsye sigurie.

Për menaxhimin e situatës u angazhuan më shumë se 220 efektivë të policisë katalanase dhe të Policisë Bashkiake të Barcelonës. Sipas informacioneve paraprake, mbi 100 persona janë arrestuar, rreth 25% e të cilëve raportohet se janë të mitur.

Shumë prej të rinjve që morën pjesë në protestë mbanin veshje të zeza dhe fytyrat e mbuluara. Tubimi ishte organizuar përmes rrjeteve sociale, pa një njoftim zyrtar paraprak.

Trazirat u përhapën në disa prej zonave kryesore të qytetit, përfshirë Plaça Catalunya, La Rambla dhe Portal de l’Àngel, si dhe rrugët përreth tyre. Në përgjigje të situatës, autoritetet bashkiake shtuan masat e sigurisë dhe praninë policore në zonat e prekura.