Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.
Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.
Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.
“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.