Rama prezanton masat: Dëmshpërblim për bizneset, ndëshkime për dhunuesit në protesta

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë të re ndryshimesh ligjore që synojnë parandalimin dhe ndëshkimin e akteve të dhunës gjatë protestave, si dhe kompensimin e bizneseve që pësojnë dëme materiale.
Sipas masave të prezantuara, bizneset e vogla që dëmtohen nga aktet e dhunshme do të përfitojnë kompensim të plotë, në masën 100% të dëmit, ndërsa për bizneset e mëdha dëmshpërblimi do të mbulojë 70% të vlerës së dëmit. Masa parashikohet të zbatohet përmes një akti normativ.
Paketa u bë publike një ditë pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, gjatë së cilës pati përplasje me policinë, përdorim të molotovëve ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu sanksione financiare deri në 500 mijë lekë për individët që vijojnë të qëndrojnë në grumbullime ku ushtrohet dhunë, edhe pse janë në dijeni të akteve të dhunshme.
Sipas Ramës, kuadri i ri ligjor mbështetet në parimin “Kush thyen, paguan”, duke synuar që kostoja e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës dhe jo nga taksapaguesit.
Një tjetër masë është krijimi, me vendim të Këshillit të Ministrave, i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar për vepra penale kundër shtetit, sigurisë apo rendit publik.
“Projekt-Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës, vjen me plot risi pozitive në drejtim të pikërisht familjeve të zakonshme, të shërbimeve për qytetarët e të të rinjve dhe studentëve po ashtu.
Në ndërkohë, pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë europiane, si edhe në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në modelin e adaptuar së fundmi prej tyre përballë të njëjtës flamë antidemokratike, bazuar gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.
Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.
Përgjegjësia është gjithmonë vetjake, masat e mundshme kufizuese janë të përkohshme e të arsyetuara, çdo kufizim i rëndësishëm është i kontrollueshëm nga gjykata.
Paketa përbëhet nga 6 instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin.
Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin “Për tubimet”, një Regjistër Elektronik i Posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.” deklaroi Rama
Masat:
1. Dëmshpërblimi i bizneseve
Shteti do të mbulojë nga 70% deri në 100% të dëmeve materiale të shkaktuara nga dhuna, për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro, sipas kritereve të përcaktuara. Bizneset që kanë aplikuar pranë Tatimeve nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore.
2. Ligji “Kush thyen, paguan”
Personat që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve do të mbajnë përgjegjësi financiare. Edhe ata që qëndrojnë në turma të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë mund të gjobiten deri në 500 mijë lekë. Për të miturit mbi 14 vjeç, gjobat paguhen nga prindërit ose kujdestarët.
3. Ndryshimet në ligjin “Për tubimet”
Policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve të ndjeshme, kur ekziston rrezik real dhune. Parashikohen masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, gjoba 10–100 mijë lekë për tubimet pa leje dhe mosbindjen ndaj thirrjeve për largim, deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrit të shpërndarjes dhe fshehjen e identitetit, si dhe 5 mijë lekë për bllokimin e qarkullimit.
4. Regjistri i Posaçëm Elektronik
Do të krijohet një regjistër për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përdoret edhe për kontrollin kufitar, përfshirë kufizimin e daljes nga vendi sipas kushteve ligjore dhe njoftimin e autoriteteve të huaja.
5. Ndryshimet në Kodin e Etikës së mësuesve
Mësuesit që përdorin autoritetin e tyre për të nxitur ose organizuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin e fëmijëve, do të pezullohen ose largohen nga detyra.
6. Ndryshimet në Kodin Penal
Parashikohen ndëshkime më të ashpra për dhunën në protesta, nxitjen e saj edhe në rrjetet sociale dhe dëmtimin e pronës. Mbajtja e armëve apo sendeve të rrezikshme mund të dënohet deri në 2 vjet burg, ndërsa fshehja e fytyrës në tubime të dhunshme deri në 6 muaj burg. Paketa përfshin edhe dispozita kundër kanosjes, përndjekjes online, publikimit të të dhënave personale për të ekspozuar dikë ndaj sulmeve dhe videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale që shkaktojnë dëm.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









