Media gjermane Deutsche Welle i ka kushtuar vëmendje protestave studentore në Shqipëri, ku dita e 12-të u shoqërua me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë në Tiranë. Pas tri ditësh qetësie, protesta e së shtunës u përshkallëzua me molotovë, gurë, zjarre, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Studentët vijuan të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili përsëriti ftesën për dialog, por njëkohësisht akuzoi për infiltrimin e grupeve të dhunshme në protestë. Përpara Kryeministrisë, një stol betoni me mbishkrimin “Dialog” shërbeu si simbol i ftesës së përsëritur të qeverisë.
Gjatë protestës, objekte të ndryshme u përfshinë nga flakët, ndërsa u raportuan hedhje molotovësh dhe ndërhyrje të policisë me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Përplasjet u shtrinë në disa zona të kryeqytetit dhe lanë 13 të lënduar: tetë protestues, tre efektivë policie dhe dy përfaqësues të medias.
Nëntë të lënduar morën trajtim në Spitalin e Traumës, përfshirë një protestues me dëmtime në sy, i cili iu nënshtrua ekzaminimeve. Dy persona të tjerë, një protestues dhe një efektiv policie, u trajtuan në QSUT dhe më pas u larguan nga spitali.
Në deklaratat e tij, Rama foli për persona me precedentë kriminalë dhe grupe të radikalizuara, duke përmendur edhe bashkëpunimin me Francën dhe Italinë për masa të reja sigurie. Megjithatë, kryeministri pranoi se disa prej shqetësimeve që kanë nxitur protestat, si rritja e kostos së jetesës, vështirësitë për strehim dhe kërkesat për meritokraci e barazi sociale, janë legjitime. Ai paralajmëroi se qeveria do të bëjë të ditura masat konkrete.
Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë raportoi dy incidente të tjera ndaj gazetarëve gjatë protestës, duke e çuar në 45 numrin e rasteve të dokumentuara ose të raportuara për periudhën 13–24 tetor. Rastet përfshijnë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit dhe sulme verbale ndaj përfaqësuesve të medias.