Rama për 28-vjeçarin e plagosur në protestë: Ju jeni errësira që i mbylli dritën e syrit, u mora personalisht për kurimin e tij në Itali

25 Tetor 2026 | 13:05

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të diel për protestën e dhunshme në Tiranë dhe plagosjen e 28-vjeçarit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili pësoi dëmtim në sy.

Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi pjesëmarrjen në protesta të dhunshme si të rrezikshme, ndërsa akuzoi nxitësit e dhunës se po e përdorin rastin e të riut për të nxitur përplasje të mëtejshme.

Kryeministri bëri gjithashtu me dije se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të tij në një spital të specializuar në Itali, si dhe për transportin me avion mjekësor.

Reagimi i plotë:

“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje

Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!

Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur

Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:

Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!

Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!

Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.

Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”, ka shkruar Rama.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Berisha: Studentët triumfuan dje sepse faktuan se nuk ka dhunë dhe terror që mund t’i mposhtë ata

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e djeshme të studentëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një ditë triumfi për...
12:54 | 25/10/2026

“28-vjeçari i plagosur në sy do të kurohet në Itali”, shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT: Gjendja është më e stabilizuar

Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, prof. Vilma Mema, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u dëmtua në...
12:36 | 25/10/2026

Paketa ligjore për protestat, Bardhi: Antikushtetuese, po tenton të pengojë protestat e studentëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj paketës së re ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama kundër dhunës...
12:16 | 25/10/2026