“Nuk jam budalla”, Murinjo ndez Realin para Barcelonës: Çfarë t’ju them për Flikun?

“Nuk jam budalla”, Murinjo ndez Realin para Barcelonës: Çfarë t’ju them për Flikun?

11:20, 25/10/2026

Trajneri Zhoze Murinjo është shfaqur në konferencë për shtyp, ndërsa përpara është sfida Barcelona-Real Madrid.

“Jemi në një moment të mirë. Po fitojmë ndeshje, luajmë mirë, shënojmë gola… Por në “El Clasico”, kjo nuk ka ndikim. Ato janë ndeshje ndryshe. Nga përvoja ime me “El Clasico”-t dhe derbit, ajo që ndodh më parë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe”, u shpreh fillimisht Murinjo.

“Real Madrid–Barcelona do të thotë të paktën dy “El Clasico” në sezon, ndonjëherë edhe më shumë. Nuk ka shumë rëndësi se cilët janë trajnerët. Gjëja më e rëndësishme është dimensioni global i një “El Clasico”-je, i cili është unik. Ka edhe derbi të tjera të rëndësishme në botën e futbollit, por ky është i veçantë dhe, zakonisht, e gjithë bota që e do futbollin ndalon për ta parë. Shpresoj të jetë një ndeshje e madhe dhe të fitojmë ne”.

A vlerësohen mjaftueshëm meritat?

“Mendoj se Real Madridi është kështu. Por unë kërkoj vetëm t’u jap merita lojtarëve të mi kur bëjnë mirë dhe ta pranoj kritikën ndaj meje si trajner kur gjërat nuk shkojnë aq mirë. Kjo është historia, jo vetëm e Real Madridit, por praktikisht e të gjithë trajnerëve në botë. Lojtarët fitojnë ndeshjet, ndërsa trajnerët i humbasin ato. Kjo është pak a shumë jeta jonë”.

A është ndeshja e nesërme një provë për të parë nëse mund të fitoni tituj?

“Jo. Reali i Madridit me Murinjon fiton tituj”.

Rrjedhjet e informacionit për arbitrin dhe marrëdhënien e tij me Negreirën

“Pak a shumë, më keni zënë në befasi me këtë pyetje. Emri i arbitrit nuk më ka shqetësuar kurrë. Unë nisem gjithmonë nga parimi se arbitri është i mirë. Nuk më shqetëson aspak të di nëse arbitri është A, B apo C. Ajo që më shqetëson pak është kur shkelen rregullat, gjë që, sipas informacioneve të brendshme, ende nuk ka ndodhur. Tri javë më parë doli emri i një arbitri. Këtë javë është një tjetër. Por, brenda Real Madridit, askush nuk më ka thënë: ‘Trajner, arbitri është ky.’ Kushdo qoftë, shpresoj që gjithçka t’i shkojë mirë”.

Humbja e Barcelonës kundër PSG-së

“E thashë edhe më parë se momenti aktual nuk më thotë asgjë ose shumë pak në këto ndeshje. Nëse, në vend që të fitonim 4-1 kundër Lajpcigut, do të kishim humbur 4-1, mentaliteti im para kësaj ndeshjeje nuk do të ishte ndryshe. Nuk mendoj se Barcelona, vetëm sepse humbi një ndeshje, do të ndryshojë mentalitetin dhe besimin me të cilin hyn në këtë takim”.

A lavdërohet Barcelona, ndërsa Reali kritikohet?

“Ata që një javë më parë mendonin se Barça mund të na shkatërronte, ndoshta vazhdojnë të mendojnë të njëjtën gjë. Nuk mendoj se ndeshja në Paris apo ajo e Lajpcigut në “Bernabeu” do t’ua ndryshojë idenë ose mënyrën e të menduarit. Të flasësh mirë për Barcelonën nuk më ndikon dhe nuk ka të bëjë me mua. Për të qenë i sinqertë, ka momente dhe ndeshje kur ata meritojnë të lavdërohen, sepse bëjnë gjëra shumë të mira. Sa na përket neve, mendoj vetëm se, nëse na konsideroni një produkt të përfunduar, produkte të përfunduara në futboll ka shumë rrallë, sepse ato nuk janë kurrë vërtet të përfunduara.

Ne kemi tre muaj që punojmë. Nëse përjashtojmë fazën përgatitore parasezonale, gjatë së cilës lojtarët vinin çdo javë, si dhe gati tri javët që kaluan me kombëtaret e tyre, kemi punuar së bashku vetëm një muaj e gjysmë ose dy muaj. Jemi larg të qenit një produkt i përfunduar. Jemi një projekt në zhvillim. Ndodhemi në një fazë kur trajneri po i njeh lojtarët, po i analizon dhe po përcakton rrugën që duhet ndjekur. Edhe lojtarët po e njohin trajnerin e tyre, mënyrën se si vepron dhe si e drejton ekipin. Nuk më duket e drejtë të krahasosh një skuadër në këtë fazë me një ekip që ka dy ose tre vjet që luan së bashku. Pastaj, kur nuk luajmë aq mirë ose kur rezultati është negativ, kritikat janë pjesë e lojës”.

Lamine Jamal

“Të gjithë janë shumë të mirë. E njëjta gjë vlen edhe te Reali. Qoftë te Madridi apo te Barcelona, nuk mund të gjej një lojtar që të mos jetë shumë i mirë. të gjithë janë shumë të mirë. Ai është një lojtar i madh dhe lojtarët e mëdhenj duhen respektuar. Të respektosh dikë është një gjë, të ndryshosh planet, strukturat dhe të harrosh identitetin tënd është diçka tjetër. Ne nuk do ta bëjmë këtë as përballë tij, as përballë ndonjë kundërshtari tjetër të nivelit të lartë”.

Flik

“Nuk e kuptoj pse më bëni pyetje për kundërshtarët tanë. Çfarë dëshironi t’ju them për Flikun? Është një trajner i madh, po bën një punë të shkëlqyer dhe kaq. Nuk mund të them asgjë më shumë”.

Kthimi në “Camp Nou”

“Është njësoj si të shkosh në çdo stadium tjetër. Sigurisht, po flasim për një skuadër me shumë cilësi. Nuk është njësoj të luash kundër një ekipi me cilësi të lartë dhe të luash kundër një ekipi më pak të fortë, por nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme”.

A është rritja e mjekrës një lloj supersticioni?

“Jo, aspak. Duhet të jem një nga të paktët në futboll, por nuk ka aspak lidhje me këtë. Pse? Duket e tmerrshme? Nëse më thoni se duket e tmerrshme, do ta mendoj (qesh). Me siguri jam një nga të paktët që nuk kanë fare lidhje me bestytnitë”.

A e keni vendosur formacionin titullar?

“Sigurisht”.

Deklaratat e Ferminit

“Çfarë mund të them? Shumë gjëra që vazhdojnë të ndodhin na lodhin, dhe Fermini lodhet nga mënyra se si flasim për këto çështje. Kështu është”.

A keni një plan loje?

“Po, por nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Më mirë të bëni një pyetje tjetër. Mund të pyesni për diçka tjetër, sepse nuk do t’u përgjigjem pyetjeve rreth planit të lojës, se kush do të luajë, si do të organizohemi apo në ç’drejtim do të përpiqemi ta çojmë ndeshjen. Jam i sinqertë. Mund të rrija këtu duke folur rrotull pa thënë asgjë”.

Cila është pika e dobët e Barcelonës?

“Ju jeni të zgjuar, por unë nuk jam budalla”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco