Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, i kërkon Prokurorisë së Tiranës të nisë veprimet për arrestimin e efektivëve të policisë që, sipas tij, dhunuan protestuesit gjatë protestës së djeshme në kryeqytet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson lajm të mirë dërgimin e Erjon Vishkullit në Romë për një ndërhyrje të specializuar, me qëllim heqjen e plumbit të gomës që mori në sy gjatë protestës.
Ai akuzon policinë për dhunë ndaj qytetarëve dhe protestuesve, ndërsa thekson se deri më tani nuk është arrestuar asnjë prej efektivëve përgjegjës.
Këlliçi i drejtohet drejtpërdrejt prokurorit të Tiranës, Arenc Çela, duke i kërkuar të mos fshihet, por të përmbushë detyrën dhe të garantojë drejtësi për Vishkullin dhe protestuesit e tjerë të plagosur.
“Krimet e rënda që ndodhën dje në Tiranë me urdhër të Edi Ramës e për karrigen e tij, duan drejtësi dhe sa më shpejt”, shkruan Këlliçi.
Ai shpreh shpresën që mjekët në Tiranë dhe Itali të arrijnë të shpëtojnë shikimin e të riut, ndërsa kërkon hetimin e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve.





