Motra e Erjon Vishkullit, të riut që mbeti i dëmtuar në sy nga një plumb gome gjatë protestës së djeshme, ka reaguar në rrjetet sociale, duke kërkuar që gjendja shëndetësore e vëllait të saj të mos përdoret për qëllime politike.
Në reagimin e saj, ajo kundërshton pretendimet se shpenzimet e transportit dhe të ndërhyrjes mjekësore në Itali po mbulohen nga qeveria siç është shprehur kryeministri Rama nëpërmjet një statusi më herët.
“E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shkruan motra e të riut, duke iu drejtuar mediave që të mos publikojnë informacione të pakonfirmuara.
Familjarja falënderoi të gjithë personat që janë interesuar për shëndetin e të riut, por kërkoi që në këto momente të vështira familja të qëndrojë larg përplasjeve politike.
“Ju falënderojmë të gjithëve që jeni interesuar dhe shqetësuar për shëndetin e vëllait tonë, por duam që në këto momente të qëndrojmë larg pjesës politike”, shkruan ajo.

