Lajmi i fundit

Dita e 13-të e revoltës studentore në Tiranë

VIDEO/ Protestuesi: Nuk vendosim maska për t’u fshehur, por për t’u mbrojtur nga gazi dhe plumbat tuaj

16:49, 25/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protestuesit kanë vazhduar të denoncojnë dhunën shtazarake të policisë gjatë protestës së djeshme, duke deklaruar se maskat, kaskat dhe syzet mbrojtëse nuk përdoren për të fshehur identitetin, por për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës.

Në një prononcim për SYRI-n, një prej protestuesve u shpreh se në një vend që pretendon të jetë demokratik dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian, qytetarët detyrohen të dalin në protesta të pajisur me mjete mbrojtëse për shkak të dhunës policore.

‘Ne nuk është se maskohemi se kemi frikë nga identiteti ynë. Ne kemi dalë këtu, me fytyrë. Ama kur jemi përballë këtyre maskarenjve, vendosim maskën të ruhemi’, deklaroi ai.

Protestuesi theksoi se nuk i referohet të gjithë efektivëve të policisë, por atyre që, sipas tij, zbatojnë urdhra për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, duke i lënë me këmbë, duar apo shpinë të dëmtuar.

Ai iu drejtua gjithashtu institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar ndërhyrjen e SPAK-ut dhe Avokatit të Popullit për të hetuar dhunën ndaj protestuesve.

‘Ku e keni SPAK-un? Që i bëj thirrje dhe SPAK-ut, Avokatit të Popullit dhe cilido qoftë. Ku është me këtë?’, u shpreh protestuesi.

Ai ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si mungesë përgjegjësie të efektivëve të policisë, duke vënë në kontrast ndëshkimin e protestuesve me, sipas tij, mungesën e pasojave për punonjësit e policisë që ushtrojnë dhunë.

Gjatë prononcimit, protestuesi tregoi edhe dorën e dëmtuar, për të cilën tha se ishte lënduar gjatë përpjekjeve për t’i ardhur në ndihmë një vajze që kishte pësuar një plagë në kokë. Sipas tij, në momentin e ngjarjes policia po qëllonte me plumba gome dhe gaz lotsjellës, ndërsa ai dhe të tjerë po përpiqeshin ta ndihmonin vajzën e plagosur.

Ai deklaroi se një gazetar i SYRI.net kishte qenë dëshmitar i ngjarjes dhe e kishte transportuar vajzën në spital.

Në përfundim, protestuesi paralajmëroi për pasojat e dhunës ndaj qytetarëve dhe kërkoi që ngjarje të tilla të mos trajtohen si incidente të zakonshme.

‘Nuk mund të jetë ky vend më në këtë pikë, thyerje këmbësh, thyerje vertebrash, qorrim. [...] Shqiptarët kanë një humanizëm’, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco