Aktualitet

Motra e Erjon Vishkullit reagon pas deklaratës së Ramës: Mashtrim, e ka çuar familja dhe miqtë, jo shteti…

28-vjeçari Erjon Vishkulli, nga Elbasani, i cili mbeti i plagosur me plumb gome gjatë protestës së djeshme në Tiranë, është kthyer në qendër të debatit publik pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për dërgimin e tij për kurim në Itali.

Rama deklaroi sot se ishte angazhuar personalisht që i riu të dërgohej për trajtim në një nga spitalet më të mira në Romë.

Pas kësaj deklarate, motra e Erjonit, Rubi Vishkulli, ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale, duke kundërshtuar atë që e cilëson si përpjekje për ta përdorur ngjarjen për qëllime politike.

“Një mashtrim propagandistik i Ramës për të dalë protagonist i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politikë”, shkruan ajo.

Më tej, Rubi thekson se familja ka qenë pranë njëri-tjetrit në këtë situatë të vështirë dhe mohon që mbështetja e tyre të ketë ardhur nga shteti.

“E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes sonë dhe jo shteti”, shkruan ajo, duke përfunduar reagimin me thirrjen: “Shpërndani lajme të sakta”.

Reagimi i motrës vjen pas deklaratës së kryeministrit lidhur me trajtimin e 28-vjeçarit në Itali, ndërsa rrethanat e plagosjes së tij gjatë protestës kanë tërhequr vëmendjen e publikut.