Vendosni fjalën kyçe....

“Nisma ishte e imja, shpenzimet u mbuluan nga shteti” – Rama i përgjigjet motrës së Erjon Vishkullit


Kryeministri Rama ka reaguar pas përgënjeshtrimit nga ana e motrës së Erjon Vishkullit, e cila shkruajti se vëllai i saj ishte nisur në Itali për kurim më të specializuar nga familja dhe miqtë e tyre dhe jo nga shteti.

Kreu i qeverisë shkruan se nisma për dërgimin e të riut në Itali është e tij dhe se mbulimi i shpenzimeve do bëhet nga shteti. Rama shkruan se i ka uruar të shkuara familjes së Vishkullit nga salla VIP e aeroportit para nisjes.

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona”, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar. Të shkuara edhe njëherë.”