Situata në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar gjatë protestës së kësaj të diele, ku policia ka ndërhyrë me ujë për të shpërndarë demonstruesit.
Pas incidenteve të regjistruara gjatë orëve të mbrëmjes, ku disa protestues hodhën gurë drejt godinës së Kuvendit dhe kapsolla në drejtim të efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), situata ka përshkallëzuar.
Ndërhyrja e policisë vjen pas momenteve të tensionit në zonën pranë institucioneve, ndërsa raportohet edhe për shoqërime protestuesish.
Protesta, e cila deri më herët ishte zhvilluar pa incidente të rëndësishme, është shoqëruar kështu me tensione gjatë mbrëmjes, duke sjellë reagimin e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar për numrin e personave të shoqëruar apo për të lënduar nga ndërhyrja.














