
Majtas Darren Beattie, në mes Jair e Flavio Bolsonaro, djahtas Ricardo Pita Macedo
Dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së drejtuan një fushatë për rikthimin në pushtet në Brazil të klanit të djathtë Bolsonaro dhe arritën të shtynin përpara sanksione që synonin të ndikonin në zgjedhje në favor të tij, sipas 10 zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë që kanë dijeni të drejtpërdrejtë për çështjen.
Plani i tyre do të vihet në provë të dielën, kur senatori Flavio Bolsonaro do të përballet në një balotazh të ngushtë me presidentin e majtë Luiz Inacio Lula da Silva. Lula e ka paralajmëruar Uashingtonin të mos ndërhyjë në sovranitetin e Brazilit dhe e ka akuzuar kundërshtarin e tij se po komploton me administratën Trump.
Dy zyrtarët ishin Darren Beattie, këshilltar i lartë për Çështjet e Hemisferës Perëndimore, i cili mbikëqyr politikën ndaj Brazilit, dhe Ricardo Pita, një tjetër këshilltar i lartë, i promovuar këtë vit në postin e zëvendësndihmëssekretarit për Amerikën e Veriut. Detajet e fushatës së tyre për rikthimin e familjes Bolsonaro në pushtet nuk ishin raportuar më parë.
Beattie dhe Pita, të dy të emëruar politikë, kishin hapësirë të gjerë veprimi për të menaxhuar marrëdhëniet e Uashingtonit me vendin e dytë më të populluar të Amerikës, thanë burimet.
Në muajt para nisjes së fushatës zgjedhore, ata udhëzuan diplomatët amerikanë në Brazil se politika e SHBA-së ishte rikthimi i ish-presidentit Jair Bolsonaro në krye të vendit, ndonëse ai ishte përjashtuar nga gara për poste publike për shkak të komplotit për një grusht shteti në vitin 2022, kur humbi zgjedhjet presidenciale përballë Lulës, thanë tre prej burimeve.
Pasi Bolsonaro u dënua me 27 vjet burg në shtator 2025, dy zyrtarët kaluan në mbështetjen e kandidaturës së të birit, senatorit të djathtë Flavio Bolsonaro, thanë të njëjtat tri burime. Beattie dhe Pita u thanë punonjësve të ambasadës të mos komunikonin me kandidatë të tjerë konservatorë për president, të cilët mund të sfidonin Bolsonaron e ri.
Që nga viti i kaluar, dy zyrtarët kanë lobuar me sukses për masa ndëshkuese të qeverisë amerikane ndaj Brazilit, të cilat synonin të dobësonin Lulën dhe të forconin pozitat e familjes Bolsonaro, thanë 10 burimet për Reuters. Këto politika përfshinin shpalljen e bandave braziliane si organizata terroriste dhe vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Lartë të Brazilit, i cili drejtonte hetimin ndaj Jair Bolsonaro-s.
Reuters nuk arriti të përcaktonte se deri në ç’masë dy zyrtarët po vepronin me urdhër të Shtëpisë së Bardhë apo të sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Trump, një mbrojtës i zëshëm i Bolsonaro-s që prej humbjes së këtij të fundit në zgjedhjet e vitit 2022, nuk ka mbështetur publikisht asnjë kandidat.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte dhe iu referua Departamentit të Shtetit për përgjigjet.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me masat dhe udhëzimet specifike që përfshinin Beattie-n dhe Pita-n, por deklaroi: “Të gjitha veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kundër trafikantëve të drogës dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes synojnë të mbrojnë të drejtat dhe jetën e popullit amerikan. Populli brazilian ka të drejtë t’i zgjedhë udhëheqësit e tij përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”
Zyra e Lulës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Orna Blum, një nga zyrtaret që foli me Reuters për përpjekjet e Beattie-t dhe Pita-s, drejtoi deri në pensionimin e saj vitin e kaluar zyrën e Departamentit të Shtetit për Brazilin dhe Konin e Jugut. Ajo u largua për shkak të kundërshtimit të saj ndaj administratës Trump.
“Uashingtoni ka çdo të drejtë të ndjekë interesat e veta ekonomike dhe strategjike”, tha ajo. “Por kur instrumentet e politikës së jashtme amerikane përdoren për të ushtruar presion ndaj një demokracie tjetër lidhur me fatin ligjor të një aleati politik, kalohet kufiri mes diplomacisë dhe ndërhyrjes politike.”
SANKSIONE NDAJ NJË GJYQTARI TË GJYKATËS SË LARTË
Beattie është një ish-shkrues fjalimesh në Shtëpinë e Bardhë, i cili u pushua nga puna në vitin 2018, pasi mori pjesë si folës në një aktivitet ku merrnin pjesë shpesh nacionalistë të bardhë. Ai është gjithashtu ideatori i politikës së “diplomacisë së lirisë së shprehjes”, të mbështetur nga aleatë të Trumpit, e cila synon të ndëshkojë vendet që akuzohen për censurimin e qëndrimeve të djathta të shprehura nga qytetarë amerikanë, kompani dhe aleatë të së djathtës në mbarë botën.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, për shkeljen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke burgosur brazilianë për postime politike në rrjetet sociale dhe duke censuruar përmbajtje të kompanive amerikane të mediave sociale. Moraes ka argumentuar se po largonte nga rrjetet sociale lajmet e rreme që minonin besimin e publikut te institucionet demokratike të Brazilit.
Moraes nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Pita, një konservator me origjinë venezuelane dhe shtetësi amerikane, është mes shumë personave në rrethin e Rubio-s që e shohin Lulën si kërcënim për interesat e SHBA-së në Amerikën Latine. Rubio ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të politikës agresive të administratës në rajon, e cila ka përfshirë një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë për të rrëzuar presidentin e saj, një bllokadë nafte ndaj Kubës dhe sulme ushtarake ndaj mjeteve lundruese të dyshuara për trafik droge nga Amerika Latine.
Beattie dhe Pita u afruan me familjen Bolsonaro për shkak të politikave të saj të djathta, kundërshtisë së fortë ndaj Lulës dhe bindjes se Jair Bolsonaro ishte viktimë e abuzimeve nga Gjykata e Lartë e Brazilit.
Ashtu si Trumpi në zgjedhjet amerikane të vitit 2020, Bolsonaro refuzoi të pranonte humbjen në zgjedhjet presidenciale të Brazilit në vitin 2022, duke shkaktuar trazira gjatë të cilave mbështetësit e tij sulmuan ndërtesat qeveritare. Në shtator 2025, Gjykata e Lartë e shpalli fajtor për komplot për grusht shteti, me qëllim që të qëndronte në pushtet.
Para dënimit, në fillim të vitit 2025, familja Bolsonaro po ushtronte presion të fortë ndaj Uashingtonit për vendosjen e sanksioneve sipas Aktit Global Magnitsky për Përgjegjshmërinë në Fushën e të Drejtave të Njeriut, kundër Moraes-it, i cili kishte drejtuar hetimet penale ndaj Jair Bolsonaro-s. Ky akt është një ligj federal i vitit 2016 që u mundëson Shteteve të Bashkuara të vendosin sanksione ndaj individëve të huaj përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut ose korrupsion të rëndë, shkruan Reuters.
Rreth prillit 2025, djali më i vogël i Jair Bolsonaro-s, Eduardo, vizitoi Beattie-n në zyrën e tij në Departamentin e Shtetit në Uashington, sipas dy ish-zyrtarëve amerikanë. Eduardo Bolsonaro kishte bërë publikisht thirrje për vendosjen e sanksioneve Magnitsky ndaj Moraes-it të paktën që nga viti 2024. Në mars 2025, ai tha gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë se ishte “praktikisht e sigurt” që administrata Trump do t’i vendoste këto sanksione.
Eduardo Bolsonaro nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Beattie telefonoi Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja në Departamentin e Thesarit të SHBA-së për të kërkuar vendosjen e sanksioneve Magnitsky ndaj Moraes-it, tha një ish-zyrtar amerikan me dijeni të drejtpërdrejtë për çështjen.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, departamenti i të cilit administron sanksionet Magnitsky përmes kësaj zyre, nuk kundërshtoi, tha ish-zyrtari.
Në korrik 2025, SHBA-ja njoftoi vendosjen e sanksioneve Magnitsky ndaj Moraes-it, duke përmendur shkeljet e pretenduara të lirisë së shprehjes përmes censurimit të postimeve në rrjetet sociale kundër qeverisë.
Një zyrtar i Departamentit të Thesarit tha se Bessent dhe Rubio janë “plotësisht në një linjë me politikën e jashtme të administratës”.
SHPALLJA E BANDAVE SI ORGANIZATA TERRORISTE
Familja Bolsonaro po i kërkonte gjithashtu Uashingtonit të shpallte organizata terroriste bandat më të mëdha të Brazilit – Primeiro Comando da Capital (PCC) dhe Comando Vermelho (CV). Ata besonin se një përcaktim i tillë do ta dëmtonte Lulën, të cilin disa kundërshtarë e kanë kritikuar për dështimin në kontrollin e kriminalitetit.
Eduardo Bolsonaro ishte miqësuar me Pita-n përmes qarqeve konservatore amerikane dhe të dy mbështesnin përpjekjet për t’i shpallur bandat organizata terroriste.
Në maj 2025, Pita iu bashkua një delegacioni amerikan që vizitoi Jair Bolsonaro-n në rezidencën e tij në Brasilia, ndërsa ai priste gjyqin, sipas njoftimeve publike të asaj kohe. Në grup bënte pjesë edhe David Gamble, zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit për sanksionet në atë periudhë.
Pas kthimit në Uashington, Pita u kërkoi zyrtarëve të Departamentit të Shtetit përgjegjës për sanksionet të shqyrtonin se si mund të zbatoheshin në Brazil masa të ngjashme me shpalljen e karteleve meksikane si organizata terroriste, njoftuar në shkurt 2025, tha një ish-zyrtar.
Gati një vit më vonë, në maj 2026 – pasi Pita ishte promovuar në një detyrë të re që e largoi nga çështjet e Brazilit – kandidati presidencial Flavio Bolsonaro u takua në Uashington me Beattie-n dhe zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, për të diskutuar “urgjencën e shpalljes së PCC-së dhe Comando Vermelho-s si organizata të huaja terroriste”, sipas një postimi në X nga influencuesi i krahut të djathtë Paulo Figueiredo, i cili publikoi edhe fotografi të pjesëmarrësve.
Departamenti i Shtetit e njoftoi shpalljen e tyre si organizata terroriste të nesërmen.
Reuters nuk arriti të përcaktonte se deri në ç’masë ndikuan Pita dhe Beattie në marrjen e vendimit përfundimtar.
KUNDËRREZULTATE DHE PENGESA
Në korrik 2025, Uashingtoni njoftoi gjithashtu një sërë masash të tjera kundër Brazilit, përfshirë revokimin e vizave të tetë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe vendosjen e tarifave doganore prej 50% për mallrat braziliane, duke përmendur “persekutimin” e Jair Bolsonaro-s.
Reuters nuk arriti të përcaktonte nëse Beattie apo Pita kishin ndonjë rol në vendosjen e këtyre masave shtesë. Por, nëse synimi i tyre ishte të dobësonin Lulën, shumë prej tyre patën efekt të kundërt, sipas analistëve politikë në Brazil.
Masat kundër Gjykatës së Lartë nuk e penguan atë të vazhdonte gjyqin ndaj Bolsonaro-s, ndërsa tarifat doganore rritën mbështetjen në sondazhe për qeverinë e Lulës, thanë analistët.
Edhe kompani të mëdha amerikane dhe braziliane që varen nga tregtia dypalëshe, përfshirë gjigantin e industrisë së mishit JBS, në pronësi të miliarderëve brazilianë Wesley dhe Joesley Batista, kundërshtuan tarifat, të cilat Uashingtoni përfundimisht i zbuti.
Fushata e Beattie-t dhe Pita-s hasi edhe pengesa të tjera. Pa dhënë një shpjegim zyrtar, Departamenti i Thesarit e hoqi gjyqtarin Moraes nga lista e sanksioneve Magnitsky në dhjetor, ndërsa në mars Brazili i ndaloi Beattie-t hyrjen në vend, ku ai synonte të vizitonte Bolsonaro-n në burg.
Mario Braga, analist për Amerikën Latine në kompaninë e inteligjencës së rrezikut RANE, tha se Trump mund të ketë vendosur të mos e mbështesë publikisht Bolsonaro-n për të shmangur perceptimin se po ndërhynte në zgjedhjet e Brazilit – një perceptim që mund të rriste popullaritetin e Lulës.
Megjithatë, pasi Flavio Bolsonaro doli pak përpara Lulës në raundin e parë të zgjedhjeve në fillim të këtij muaji, Trump e cilësoi rezultatin si një fitore të madhe.
“E ngushtë, por një fitore shumë, shumë e madhe”, u tha ai gazetarëve. “Në fakt, e pabesueshme.”