
Grupet protestuese dhe sindikatat në Francë bënë thirrje të dielën për demonstrata të tjera, në përpjekje për të mbajtur presionin mbi qeverinë, pasi një operacion i gjerë sigurie ndihmoi në frenimin e trazirave gjatë protestave mbarëkombëtare të së shtunës.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se 410 mijë persona morën pjesë në marshimet e së shtunës, ndërsa autoritetet angazhuan 70 mijë policë, duke ndihmuar në shmangien e përsëritjes së plaçkitjeve dhe akteve të vandalizmit që përfshinë shumë qytete më 17 tetor.
Drejtuesit e sindikatave u bënë thirrje qytetarëve të protestojnë sërish të shtunën e ardhshme dhe të zhvillojnë një grevë mbarëkombëtare më 5 nëntor. Ata thanë se pakënaqësia lidhur me pagat, koston e jetesës dhe shërbimet publike po përhapej shumë përtej lëvizjes studentore, e cila u mobilizua fillimisht muajin e kaluar, shkruan Reuters.
“Po shohim një grumbullim të zemërimit”, tha për televizionin BFM TV Murielle Guilbert, bashkëdrejtuese e federatës sindikale të majtë Solidaires. Ajo tha se pakënaqësitë e studentëve, punëtorëve, zjarrfikësve dhe grupeve të tjera po bashkoheshin.
“U bëjmë thirrje njerëzve të dalin në rrugë të shtunën e ardhshme.”
Sindikatat e mësuesve SUD Éducation deklaruan se do t’i bashkohen demonstratës së 31 tetorit, ndërsa sindikata e madhe CGT tha se do të marrë një vendim gjatë javës.

Mundësitë e Macronit janë të kufizuara
Edhe Lëvizja e Jelekëve të Verdhë, një lëvizje qytetare që u shfaq në vitin 2018 si revoltë kundër taksave mbi karburantet, bëri thirrje për tubime masive të shtunën e ardhshme, përfshirë ulje-protesta para bashkive dhe Asamblesë Kombëtare.
“Ka zemërim në këtë vend. Ai po rritet në shkolla dhe universitete, në rrethrrotullime, në lagje, në ferma dhe në vendet e punës”, u tha gazetarëve aktivistja Azelma Sigaux.
Në vitin 2019, presidenti Emmanuel Macron arriti të gjente burimet financiare për të ulur kostot e karburanteve, në përgjigje të protestave të Jelekëve të Verdhë.
Shtatë vjet më vonë, financat publike të rënduara i lënë atij pak mundësi për të përmbushur kërkesat e protestuesve. Mandati i tij përfundon gjithashtu prillin e ardhshëm, ndërsa partia e tij e qendrës nuk ka më shumicën e nevojshme për të miratuar ligje të rëndësishme.
Qeveria ka nisur bisedimet me sindikatat dhe përfaqësuesit e studentëve, në përpjekje për të zbutur krizën, por drejtuesit e protestave thonë se masat e propozuara deri më tani janë të pamjaftueshme.
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga kjo qeveri”, tha Guilbert.

Sindikatat e policisë deklaruan të dielën se nuk kishin personel të mjaftueshëm për të ruajtur për një periudhë të gjatë nivelin e lartë të dislokimit të forcave, i cili të shtunën ndihmoi që çrregullimet të kufizoheshin në përleshje sporadike në disa qytete, përfshirë Parisin dhe Marsejën.
Ministria e Brendshme njoftoi të dielën se të shtunën u arrestuan rreth 1.314 persona, gjysma e numrit të javës së kaluar. Rreth 50 policë u plagosën, krahasuar me më shumë se 1.000 një javë më parë.
Protestat kanë jehuar edhe përtej kufijve të Francës.
Të shtunën, policia belge përdori gaz lotsjellës dhe sprej me piper gjatë përleshjeve me protestuesit kundër qeverisë në Bruksel. Në Shqipëri, protestat paqësore që nisën në fund të majit u shndërruan këtë muaj në trazira të dhunshme, ndërsa përleshje kanë ndodhur për të dytën javë radhazi në disa qytete të Italisë.