Në mënyrë të pakuptimtë dhe pa asnjë shpjegim, policia vendosi pasditen e kësaj të dieleje të bllokonte disa dhjetra gazetarë e kameramanë, që kishin dalë në shesh për të ndjekur protestën pranë kryeministrisë.
Pa asnjë shpjegim ata nuk lejuan që përfaqësuesit e medias të ndiqnin ngjarjet që zhvilloheshin disa dhjetra metra më tutje
Një kordon me efektivë policie i shtrirë përgjatë gjithë gjerësisë së bulevardit, u bë barrierë për shumë gazetarë e kameramanë që të ndiqnin zhvillimet e protestës pranë kryeministrisë.
Askush nuk dha ndonjë arsye për këtë vendim sa të pazakontë aq dhe të pakuptimtë. Përpjekjet e përfaqësuesve të medias që u lexuan efektivëve dhe ligjin që ua ndalonte pengimin e punës gazetarëve, ranë thjesht në vesh të shurdhër.
Në raste protestash policia duhet t’i mbrojë gazetarët dhe të mos i sulmojë qëllimisht. Por në asnjë mënyrë ajo nuk mund t’i pengojë ata të ushtrojnë detyrën.
Për situatën e krijuar reagoi dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) duke i dënuar ashpër veprimet e policisë. Sipas Asociacionit “kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Ky është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t'u informuar”.
Asociacioni thotë se janë të paktën 40 incidente të dokumentuara gjatë ditëve të fundit, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar sistematikisht nga efektivët e policies duke e konsideruar këtë “një situatë të patolerueshme”.
Deklarata e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon ashpër veprimet e Policisë së Shtetit, e cila vijon të pengojë në mënyrë të papranueshme gazetarët dhe ekipet televizive në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ndërkohë që ngjarjet zhvillohen qindra metra larg, Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët, duke u mohuar atyre mundësinë për të dokumentuar dhe raportuar atë që po ndodh.
Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t'u informuar.
Pas 40 incidenteve të dokumentuara gjatë ditëve të fundit, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar sistematikisht nga efektivët e policisë, kjo situatë është e patolerueshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e strukturave që drejton. Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
AGSH u bën thirrje të gjitha mediave shqiptare dhe drejtuesve të redaksive që të reagojnë publikisht dhe pa ekuivoke ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve të tyre.
Heshtja e mediave përballë dhunës ndaj gazetarëve të tyre është braktisje e atyre që çdo ditë rrezikojnë sigurinë personale për të informuar publikun.












Komente
Komento