
Ukraina dhe Rusia shkëmbyen të premten nga 270 robër lufte, në fazën e tretë të procesit që nisi më 19 gusht.
Kievi riktheu në atdhe 261 ushtarakë dhe nëntë civilë, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një deklaratë.
“Shumica e të liruarve janë luftëtarë që mbrojtën Ukrainën në Mariupol. Po ashtu, po kthehen mbrojtës nga sektorët e Donetskut, Luhanskut, Harkivit, Zaporizhjas, Hersonit, Kievit, Mykolaivit dhe Çernihivit. Shumë prej tyre u dënuan në mënyrë të paligjshme në Rusi. Mes personave që po kthehen janë edhe pesë njerëz që besohej se ishin vrarë gjatë sulmit terrorist rus në Olenivka, në korrik të vitit 2022”, shtoi Zelenskyy. “Një rezultat shumë i rëndësishëm.”
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi shkëmbimin në një deklaratë, duke bërë të ditur se 270 robërit rusë të shkëmbyer ndodheshin të premten në Bjellorusi, shkruan Politico.
Marrëveshja për shkëmbimin e robërve u ndërmjetësua në maj nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Procesi pritet të përfshijë gjithsej 2.000 robër lufte, tha Zelenskyy në atë kohë. Shkëmbimet e fundit u zhvilluan pak pas përfundimit të një raundi tjetër negociatash në Oslo dhe Shën Petersburg.
“Shprehim mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në veçanti, falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan në lirimin e Stephen Hubbard-it, një mësues angleze 74-vjeçar nga Iziumi, i cili u dënua në mënyrë të paligjshme dhe iu nënshtrua torturave nga rusët”, thuhet në një deklaratë të Shtabit Koordinues të Ukrainës për Trajtimin e Robërve të Luftës.
Sipas autoriteteve, shumica e ushtarakëve që iu dorëzuan Ukrainës ishin mbajtur të ndaluar që nga viti 2022. Disa prej tyre ishin kapur që në vitet 2018 dhe 2020, gjatë luftës në Donbas.