Eksperti i shëndetësisë Romeo Zegali ka reaguar me tone të ashpra në Facebook, duke kritikuar mënyrën se si trajtohen procedurat për transferimin e pacientëve drejt spitaleve jashtë vendit.
Në postimin e tij në Facebook, Zegali i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se për pacientët në gjendje delikate duhet të ndiqen protokolle të posaçme mjekësore dhe transporti, pa qenë e nevojshme kalimi përmes sallës VIP të aeroportit.
Zegali shpjegon se, sipas tij, autoambulanca duhet të hyjë deri në pistë, ku pacienti merret në dorëzim nga stafi i specializuar i aeroambulancës, ndërsa procedurat kufitare dhe dokumentacioni trajtohen sipas protokolleve përkatëse.
Në fund të reagimit, ai nuk kursen ironinë ndaj kreut të qeverisë, duke i kërkuar të konsultohet me njerëz që i njohin këto procedura dhe duke ngritur pikëpyetje mbi këshilltarët që e rrethojnë.
Postimi i plotë:
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë....sqarim për procedurën në rastet kur një pacient transferohet në një spital jashtë shtetit. Procedura është standarde pothuajse në të gjitha aeroportet, nuk ka nevojë për kalimin nga Salla VIP, pacienti nuk është oligark që tall b*thën në sallën VIP, pacienti është në gjendje delikate e duhet të jetë i monitoruar çdo minutë nga staf mjekësor i specializuar. Për pacientët ka protokoll tjetër, autoambulanca hyn deri brenda në pistë, ku pritet nga Stafi shoqërues i Aeroambulancës (detyrim ky) dhe merret në dorëzim bashkë me kartelën mjekësore dhe një Vërtetim që është në gjendje të fluturojë, firmosur nga mjeku trajtues në QSUT, në rast se ka bërë ndërhyrje kirurgjikale edhe Vërtetim nga Anestezisti. S'ka nevojë për sallë VIP. Pacienti nuk kalon nga kontrolli kufirit. I merret pasaporta sipas procedurës ndërkombëtare dhe bëhet regjistrimi nga Stafi i policisë kufitare pa prezencë të pacientit. Kryeministri duhet të marrë staf serioz që ta sqarojë saktë se si bëhen këto procedura....Janë pothuajse standarde në të gjithë aeroportet. Edhe kur arrijnë në Itali, pacienti transportohet nga Aeroambulanca në Autoambulancën e Spitalit që e pret dhe direkt niset për në spital, Janë aq të sakta procedurat dhe aq serioze sa parashikohen dhe Pavioni ku do shtrohet, edhe numri i Dhomës se ku do akomodohet në spitalin pritës dhe shtrati në të cilin do rrijë pacienti, sepse trajtohet gjatë gjithë kohës si në ambient spitalor, pra as në Itali nuk kalon nëpër kontroll pasaportash apo kontroll fizik.
P.S
Pyet herën tjetër njerëz që i dinë këto procedura dhe janë seriozë, se më duket duan ta fusin ata që ke rrotull.
R.
Reagimi i Edi Ramës në Facebook:
Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.
Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.
Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar
Të shkuara edhe njëherë

© SYRI.net