
Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger
Ministria e Jashtme e Austrisë vendosi të premten të dëbojë katër diplomatë rusë, duke i shpallur ata “persona non grata”.
Diplomatët kishin kryer veprimtari të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik, thuhet në një deklaratë të ministrisë, të cituar nga mediat austriake. Sipas Agjencisë Austriake të Shtypit, ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka urdhëruar që të katër diplomatët të largohen menjëherë nga vendi, shkruan Politico.
Tre prej tyre punojnë në Ambasadën Ruse në Vjenë, ndërsa i katërti është anëtar i delegacionit rus pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Dmitry Lyubinsky, premtoi një “reagim të pashmangshëm” pas dëbimeve të së premtes.
Sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, vendet evropiane kanë dëbuar më shumë se 700 zyrtarë rusë nga përfaqësitë diplomatike që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Sipas një investigimi të medias ruse Agenstvo, raportohet se gati 20% e diplomatëve rusë të akredituar në Austri kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës së Kremlinit.