
Aleksandar Vuçicc ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtur në Serbi.
Në konferencën për media ish-presidenti serb ka thënë se Lista Studentore ka mundur të marrë më shumë mandate se patia e tij. Në zgjedhjet e parakohshme në Serbi votuan rreth 70 për qind të votuesve, një numër rekord ky jo vetëm për Serbinë.
Sipas Vuçiçit, Lista Studentore, që ishte rivalja e tij kryesore në zgjedhje prtet të marrë rreth 140 mandate, shkruan media serbe B92.
“Ne nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë njerëz do të habiten dhe do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa prej tyre. Dua t’ju informoj se, bazuar në një sondazh të shtresëzuar, është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar lista e studentëve dhe bllokuesve të rrugëve, e cila do të ketë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne rreth 105. Askush tjetër nuk ka hyrë në parlament. Ndoshta po, kanë hyrë hungarezët e Vojvodinës me 3 mandate dhe shqiptarët me një mandat, si dhe, mendoj, SDA-ja. Pra, ne kemi rreth 1.720.000 vota, po flas bazuar në sondazhe, por kjo nuk ka fare rëndësi. Ata kanë rreth 2.200.000 vota. Meqë kanë thënë se dikush do të arratisej apo do të fshihej, kanë gënjyer për gjithçka që kanë thënë, për ‘topin zanor’, për Jovanjicën…Do luftojmë”, tha Vuçiç.
Ai deklaroi se është krenar për gjithçka që ka bërë
“Disa mund të largohen prej nesh, por struktura jonë është shumë e qëndrueshme. Ne jemi shumë të bashkuar, jemi shumë të fortë. Jemi mësuar me opozitën: shumica prej nesh kanë kaluar më shumë kohë në opozitë sesa në pushtet. Sa i përket pretendimit se nuk do t’i pranojmë rezultatet, a mendoni se unë do të shpall rezultate të tjera? Siç e shihni, që të mos nervozoheni dhe të mos prisni, po jua them që tani: kështu është. Ata u përpoqën të na rrëzonin. Dua që njerëzit ta dinë se kjo ishte një konfirmim i revolucionit që ata ndërmorën me mbështetjen e drejtpërdrejtë të vendeve të ndryshme evropiane dhe të shtetit të thellë amerikan, atij që është kundër presidentit Trump. Jam mirënjohës”.
Vuçiç tha se “Serbia e Bashkuar” ka fituar në rajon
“Kemi fituar kudo ku jetojnë serbët, pra, në rajon, në Republikën Srpska, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, kudo. Kemi fituar edhe në Kosovë e Metohi, te serbët. E di se për shumë njerëz kjo mbrëmje është e vështirë. U uroj sukses, por dua t’ju them diçka. Siç e shihni, ndryshe nga ata, të cilët për 14 vjet nuk kanë arritur as edhe një herë të na urojnë fitoren.”
Vuçiç theksoi se ky rezultat ishte një konfirmim i revolucionit që, sipas tij, u realizua me mbështetjen e vendeve të huaja
“Për një moment ia dolët. Deri kur? Do ta shohim. Kam parë shumë gjëra të tilla, edhe në vitin 2000. Ajo që më shqetëson, po jua them menjëherë, është se nuk ju kam gënjyer as gjatë fushatës: kjo nuk do të kalojë, nuk do të kalojë. Deri në mars ose prill, do të vendosni sanksione ndaj Federatës Ruse. Do të bëjnë gjithçka që nuk deshën t’ju thoshin, gjithçka për të cilën kanë gënjyer, sepse, po e përsëris, ata janë vetëm zbatues të porosive dhe asgjë më shumë. Përgëzoj Nataša Kandićin, politika e saj ka fituar. Nataša Kandić arriti të fitojë falë mbështetjes së jashtëzakonshme nga jashtë. U uroj gjithë të mirat, ndërsa ne do të luftojmë. Askush prej tyre nuk do të arratiset dhe askush nuk do t’i hipë kurrë në shpinë. Do ta mbrojmë çdo njeri nga hipja në shpinë, keqtrajtimi dhe gjithçka tjetër që ata mund të bëjnë”, tha Vuçiç.
Ai komentoi mediat që mbështetën studentët
“Sa u përket fundërrinave më të ndyra, atyre të N1, Nova S dhe të tjerave, çdo fjalë që kanë thënë ka qenë gënjeshtër. Ata vetëm kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punën e pistë për dikë tjetër, duke menduar se do të arrinin të krijonin kush e di çfarë. Tani po pres që të më ndjekin penalisht për topin zanor. Mos u merrni me gjëra të vogla. Më ndiqni penalisht për atë top zanor.
Ish-presidenti serb deklaroi se nuk do largohet askund
“Unë e dua Serbinë dhe nuk do të largohem kurrë prej saj. Nuk do të largohem kurrë nga Serbia. Kaq për pretendimet se nuk do t’i pranoja rezultatet e zgjedhjeve. Nuk më vjen mirë për vendin. I njoh shumë mirë ata, si paratë e këqija. Do ta shihni vetë pas gjashtë muajsh: jeta është luftë”, theksoi ai.
Vuçiç tha se i njeh zgjedhjet
“Ne nuk do të luajmë me padi, ankesa dhe kundërshtime në Gjykatën Administrative. Le t’i konsiderojnë këto rezultate si të pranuara. Edhe sot bënë lloj-lloj gjërash, truke të lira: ‘Ja, po shkoj të lëshoj këngën që dua para çdo qendre votimi, po shkoj këtej e ankohem, nuk e di se çfarë tjetër’”, tha ai.
Ai i kërkoi Dodikut të bashkëpunojë me qeverinë e re
“Dua t’i kërkoj presidentit Dodik që të bashkëpunojë me udhëheqjen e re dhe qeverinë e re. Për ne, kjo është krejt normale. Por do të shihni edhe ndryshime në qëndrimin ndaj Republikës Srpska dhe ndryshime në marrëdhëniet me Sarajevën, sepse edhe për këtë kanë gënjyer. Ju kanë gënjyer për gjithçka. Ju kanë gënjyer për gjithçka. Unë e di shumë mirë këtë, por ne do ta mposhtim këtë të keqe më shpejt nga sa mendojnë ata. Pavarësisht se çfarë bëjnë dhe si veprojnë. Dhe dua t’ju them edhe diçka tjetër menjëherë. Po pres veçanërisht… Po pres veçanërisht që ato fundërrina të më ndjekin penalisht për topin zanor të sajuar. Për gënjeshtrën më të neveritshme që kanë shpikur gjatë gjithë kësaj kohe dhe gjatë gjithë këtyre viteve”, theksoi ai.
Vuçiç komentoi personat që janë në “Listën e Studentëve”.
“Ata mund ta konstituojnë parlamentin brenda 10-15 ditësh dhe po brenda 10-15 ditësh mund të hyjnë në qeveri e të formojnë çfarëdo qeverie që duan. Jam i sigurt se do të jetë një qeveri ekspertësh, e përbërë nga njerëz të një të keqeje të madhe e të një të keqeje edhe më të madhe, ashtu siç ka qenë edhe deri tani. Ne nuk deshëm të flisnim për disa gjëra. Do të shihni se në krye të listës së tyre ka njerëz që kanë kaluar kohë, nuk guxoja të flisja, nuk doja të flisja, madje edhe në çmendinë, dhe kanë kaluar atje vite të tëra, besojeni ose jo. Por kur ia thua dikujt këtë, të akuzojnë se po bën fushatë negative e kështu me radhë. Tani njerëzit do t’i shohin të gjitha. Gjithë të mirat. Unë ia dua të mirën vendit tim, e dua Serbinë dhe nuk do të largohem kurrë prej saj. I lirë apo në burg, nga cilido pozicion, do t’i mposht shumë më shpejt nga sa mendojnë.՞
Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç e njoftoi dorëheqjen më 27 shtator 2026 duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Protestat studentore nisën në fund të vitit 2024, pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ngjarje që u shndërrua gradualisht u shndërrua në një krizë të gjerë politike kundër korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe përqendrimit të pushtetit.
Më 1 nëntor 2024, në stacionin hekurudhor të Novi Sadit u shemb streha e betonit në hyrje të godinës. Fillimisht u raportuan 14 viktima, ndërsa numri përfundimtar arriti në 16 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.
Stacioni ishte rikonstruktuar dhe ishte inauguruar pas punimeve. Tragjedia nxiti pyetje të forta mbi cilësinë e punimeve, mbikëqyrjen, transparencën e kontratave dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë.
Në muajt pasues, studentët nisën bllokimet e fakulteteve dhe protestat në qytete të ndryshme të Serbisë. Kërkesat e atyre asokohe ishin publikimi i plotë i dokumentacionit për rikonstruksionin e stacionit, hetim transparent dhe përgjegjësi ligjore për personat përgjegjës, përgjegjësi për dhunën ndaj protestuesve dhe ndalimi i sulmeve ndaj studentëve dhe funksionimi i pavarur i institucioneve dhe zbatimi i ligjit.
Protestat çuan në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç në janar 2025 megjithatë protestat nuk u ndalën duke u kthyer në kombëtare.