Vendosni fjalën kyçe....

“Historike” – Koalicioni Shqiptar merr dy mandate në zgjedhjet në Serbi, në garë për të tretin


Kreu i listës “Koalicioni Shqiptar”, Shaip Kamberi, e ka cilësuar si arritje historike rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku sipas rezultateve paraprake shqiptarët sigurojnë dy mandate dhe janë në garë për të tretin.

Sipas Kamberit, Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.230 vota, të cilat me rritjen prej 35 për qind për listat e pakicave kombëtare kanë vlerë llogaritëse prej 36.761 votash.

Ai e quajti këtë rezultat fryt të bashkimit politik, të besimit të qytetarëve dhe të përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz, shkruan Presheva.al.

“Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij”, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai e mbylli mesazhin me thirrjen: “Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”