Vuçiç: Lista Studentore ka fituar zgjedhjet, shqiptarët kanë marrë një mandat

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.10.2026, 23:40

Aleksandar Vuçiç ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ku sipas vlerësimeve të tij paraprake, Lista Studentore pritet të sigurojë shumicën e vendeve në parlament.

Në një deklaratë para mediave, Vuçiç tha se, bazuar në një mostër statistikore, është e qartë se lista e tij ka humbur zgjedhjet, ndërsa studentët pritet të marrin nga 135 deri në 140 mandate. Kampi i tij politik, sipas të njëjtave vlerësime, do të sigurojë rreth 105 mandate.

“Është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore”, deklaroi Vuçiç, ndërsa theksoi se rezultatet nuk janë ende përfundimtare.

Ai shtoi se në parlament mund të hyjnë gjithashtu përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës me tre mandate dhe shqiptarët me një mandat, duke përmendur edhe mundësinë e hyrjes së SDA-së.

Fitorja e pritshme e lëvizjes studentore vjen pas muajsh të tërë protestash kundër korrupsionit dhe qeverisjes së Vuçiçit, të cilat nisën pas tragjedisë së Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona nga shembja e tendës së stacionit hekurudhor në vitin 2024.

Rezultati përbën një goditje të rëndësishme për kampin politik të Vuçiçit, i cili ka dominuar skenën politike serbe prej vitesh.

Ndërkohë, deklarata e tij merr vëmendje edhe në Shqipëri, duke qenë se Vuçiç ka pasur marrëdhënie të afërta politike me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa miku i tij në Beograd përballet me një rezultat të rëndë elektoral, zhvillimet në Serbi tregojnë se mobilizimi i studentëve mund të përkthehet edhe në një ndryshim të madh në përfaqësimin parlamentar.

Vlerësimet e bëra nga Vuçiç mbeten paraprake deri në publikimin e rezultateve zyrtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit