Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar sërish mënyrën e ftesës për dialog me studentët, të cilët prej dy javësh vijojnë protestat duke kërkuar largimin e tij nga detyra.
Këtë të hënë, përpara godinës së Kryeministrisë është vendosur një strukturë prej guri në formën e një tavoline, si një tjetër përpjekje simbolike e kreut të qeverisë për të ftuar të rinjtë në dialog.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur në ambientet përpara Kryeministrisë ishin vendosur karrige, këtë herë është zgjedhur një tavolinë prej guri.
Ndryshimi vjen pas incidenteve gjatë protestave të ditëve të fundit, kur studentët u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura për dialog dhe kanë rrokullisur gurët e vendosur më herët, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kësaj nisme.
Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët vijojnë të këmbëngulin në kërkesën për largimin e tij nga posti i kryeministrit. Ata e konsiderojnë dialogun të papranueshëm për sa kohë kjo kërkesë nuk plotësohet.












