Ndahet nga jeta në moshën 46-vjeçare aktori Eric Bauza, i njohur si zëri i Bugs Bunny dhe Daffy Duck

Aktori kanadez i zërit Eric Bauza, i njohur për interpretimin e personazheve ikonë të filmave të animuar Bugs Bunny dhe Daffy Duck, është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një deklarate të publikuar në Instagram, ku thuhet se ai ndërroi jetë papritur.
Gjatë karrierës së tij mbi dydekadëshe, Bauza u bë një nga zërat më të njohur të animacionit, duke interpretuar gjithashtu personazhe si Porky Pig, Tweety Bird dhe Elmer Fudd. Ai kontribuoi edhe në produksione të njohura si “Teen Titans Go!”, “Muppet Babies”, “Space Jam: A New Legacy” dhe “The Super Mario Bros. Movie”.
Talenti i tij u vlerësua edhe me çmime të rëndësishme, përfshirë tre çmime Emmy për programet për fëmijë dhe familje, të fituara mes viteve 2022 dhe 2025. Për rreth 15 vjet, ai ishte pjesë e Warner Bros. Animation, ku i dha jetë shumë personazheve të dashur të animacionit.
Sipas raportimit të revistës “Variety”, Bauza ndërroi jetë të dielën në banesën e tij, si pasojë e një sëmundjeje kardiovaskulare hipertensive. Përfaqësues të Warner Bros. shprehën ngushëllimet për familjen dhe e cilësuan atë një talent të veçantë, që solli gëzim dhe të qeshura për miliona njerëz në mbarë botën.
/vizionplus.tv




