Një muaj pas sulmit me dronë ndaj anijes së mallrave AROYAT në Detin e Zi, Erkan Nika, 28-vjeçari shqiptar që punonte si inxhinier i dytë në bord, vijon të rezultojë i zhdukur.
Ndërkohë familja e tij ka përsëritur apelin drejtuar shtetit shqiptar, shqiptarëve kudo që ndodhen dhe autoriteteve të vendeve përreth Detit të Zi, me shpresën për të mësuar fatin e të riut.
Në një njoftim të ri, familjarët e Erkan Nikës bëjnë të ditur se ende nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij, ndërsa theksojnë se deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen e 28-vjeçarit.
Sipas familjes, nga 16 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bordin e anijes, 15 u shpëtuan, ndërsa Erkan Nika mbetet i vetmi i zhdukur.
Familjarët bëjnë me dije se në fillim të tetorit autoritetet turke kontrolluan anijen, por Erkani nuk u gjet dhe nuk u gjetën as sende që i përkisnin atij.
Pavarësisht kohës së kaluar, familja shpreson që 28-vjeçari të jetë ende gjallë dhe kërkon që asnjë mundësi të mos përjashtohet. Sipas tyre, ai mund të ndodhet në një qytet portual në Rusi, Gjeorgji apo në një vend tjetër, i plagosur, pa ndjenja, i shtruar në spital ose ende i paidentifikuar.
Apeli:
Rinjoftim: Shtetit Shqiptar e shqiptarëve kudo qe ndodhen.
Emri dhe Mbiemri: Erkan Nika
Shtetësia: Shqiptare
Pozicioni: Inxhinier i Dytë i Anijes
Anija: AROYAT (Firma Turke)
Data e Ngjarjes: 25 Shtator 2026
Më 25 shtator 2026, anija AROYAT u sulmua nga dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve të Rusisë.
SOT NJE MUAJ 25.Tetor 2026
İnginer i Dytë i anijes, Erkan Nika, vazhdon të jetë i zhdukur dhe nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Nga 16 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord, 15 janë shpëtuar.
Ne fillim të Tetorit nga autoritetet Turke u kontrollua Anija. Nuk u gjet Erkan Nika dhe asgje qe i perket atij.
Deri më sot, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen e tij.
Ne besojmë se mundësia që Erkani të jetë ende gjallë nuk duhet të përjashtohet. Ai mund të ndodhet në ndonjë qytet portual të Rusisë apo Gjeorgjisë, ose në ndonjë vend tjetër, ndoshta i plagosur, pa ndjenja, i shtruar në spital ose ende i paidentifikuar.
U bëjmë thirrje urgjente spitaleve, institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve portuale dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe Turqi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur apo individë të shpëtuar ose të gjetur në zonat bregdetare.
Nëse keni çfarëdo informacioni për vendndodhjen e Erkan Nikës, ose mendoni se mund ta keni parë diku, ju lutem më kontaktoni mua, vëllain e tij Erizon Nika WhatsApp 00905342468381.









