Një grua u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i saj, në arrati.
Pas vrasjes u publikua edhe letra që viktima Arlinda Zekaj i kishte dërguar Prokurorisë, më 22 tetor 2026.
Në të, kërkonte masa urgjente, duke përmendur dështime institucionale në trajtimin e rastit të saj.
Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!
Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan, jo burri! E dhimbshme deri në asht!
Prokuroria Themelore në Pejë konfirmoi pranimin e ankimimit nga e ndjera.
Vrasjes i parapriu një raportim për dhunë në familje.
Policia njoftoi se dje rreth orës 19:00, u informua për rastin në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacionin policor ku u mor në pyetje.
Ndërkaq, bashkëshorti i saj u arrestua, intervistua dhe u ndalua për 48 orë.
Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë, thuhet në njoftimin policor.
Rreth orës 21:10, Policia u njoftua se ajo u gjet pa shenja jete. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se vdekja ka ardhur nga goditjet me një mjet të fortë.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe avokatja Adelina Hoxha.
Një grua që mu përgjërua të bëjë gjithçka se nuk i duhet jeta pa djalin e saj…u vra nga kunati me sëpatë…Por, jo ARLINDËN E VRAU SHTETI.