Aktualitet

Protesta e 24 tetorit në Tiranë, 9 të arrestuar/Mes tyre një gjerman!

Nëntë të arrestuar, dy të proceduar penalisht dhe 20 në kërkim nga Policia e Tiranës, në vijim të hetimeve për incidentet e tubimit të 24 tetorit.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se të arrestuarit kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta e lëndë piroteknike, si dhe dëmtuan godina të institucioneve shtetërore.

Në pranga ranë shtetasit me inicialet A.K., 27 vjeç, P.L., 45 vjeç, E.B., 21 vjeç, Sh.M dhe O.C., të dy 19 vjeç, Z.M., 25 vjeç, S.H., 20 vjeç, M.L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K.M., 20 vjeç.

Gjithashtu, u arrestua E.D., 20 vjeç, i dyshuar se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale të vjedhjes.

Sipas Policisë, ai dyshohet edhe se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të 24 tetorit.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e K.M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.