Studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë vijojnë bojkotin e mësimit në të katër fakultetet e institucionit. Situata paraqitet e ndryshme nga një fakultet në tjetrin: në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane bojkoti është i pjesshëm, ndërsa në tri fakultetet e tjera studentët nuk janë paraqitur në auditorë.
Përmes bojkotit, studentët korçarë shprehin solidaritetin me grevën dhe protestat studentore që po zhvillohen në Tiranë. Për momentin, nuk ka një datë të përcaktuar se kur do të rikthehet normalisht procesi mësimor në universitet.
Ditët e fundit, studentët kanë dalë edhe në protesta në Korçë, ku ndër kërkesat e tyre kanë qenë largimi i kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i situatës politike në vend.
