Nga Agim Nesho - 11:25, 26/10/2026
Aleksandër Vuçiç nuk ishte vetëm një lider i fortë nacionalist në Ballkan. Ai ishte përfaqësues dhe zbatues i një projekti politik për Ballkanin. Për aleatët e tij rusë, qëndrimet e tij ishin precedentë për të dënuar politikat e zgjerimit të perëndimit drejt lindjes dhe justifikimi i mbrojtjes së ‘hapësirave ruse’; për kinezët ishte krijimi i rrugëve strategjike për të dominuar Evropën në të ardhmen; për evropianët, lideri që do të drejtonte Serbinë drejt Evropës. Të tërë favorizuan në mënyrë aktive ose në heshtje krijimin e një autokracie në Ballkan, që për perëndimorët do të krijonte stabilitet.
Me ardhjen e tij në pushtet, Vuçiç deklaroi se do të kthente Jugosllavinë e re pa Kroacinë por me Shqipërinë, duke hedhur idenë sorosiane të një Ballkani të Hapur dhe bashkëpunues, të një Serbie të konsoliduar ekonomikisht për të dominuar rajonin, të një aleance me mercenarët shqiptarë për të rikthyer çështjen e Kosovës dhe për ta përgatitur Ballkanin për një zgjidhje të re gjeopolitike me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë që pretendonin influencë në Ballkan. Ishte pikërisht Soros që farkëtoi marrëdhënien Rama-Vuçiç, duke i ofruar Vuçiç-it një ‘lider kozmopolit’, ambicioz, i dashuruar me vetveten, i aftë të shiste interesat kombëtare për interes të pushtetit. Një bufon politik që do t’ia tërhiqnin fijet si nga Vuçiç ashtu edhe nga Soros, kur ky i fundit kishte përkrahjen e demokratëve amerikanë dhe përpiqej të drejtonte lëvizjet majtiste në botë.
Rama-Vuçiç bashkëpunuan ngushtë në projekte të përbashkëta ruso-sllave duke i paraqitur si projekte të tyre, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur; u bënë bashkë-themelues të mini-shengenit ballkanik, investuan së bashku me të njëjtët aktorë nga Lindja e Mesme deri në metodat e përbashkëta të funksionimit të shtetit policor kundër revoltës së studentëve dhe revoltave popullore në të dy vendet. Një marrëdhënie e ngushtë, por jo e barabartë. Vuçiç drejtonte dhe Rama bënte punën e argatit duke u treguar një vasal i mjerë, në projektet politike ku e kishin futur.
Rama u përpoq të justifikojë Vuçiç për moszbatimin e sanksioneve kundër Rusisë agresore ndaj Ukrainës, deklaroi Veriun e Kosovës tokë e askujt, paraqiti projektin e asociacionit të komunave serbe për Kosovën, ndihmoi Vuçiç-in duke i bërë presion BE-së me letrën e tyre të përbashkët në përpjekje për ta faktorizuar përballë një presioni bllokues të BE ndaj Serbisë për fenomenet e përkeqësuara të funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe lirisë së medies. Të dy ndërtuan sisteme politike të autokracisë elektorale, të bashkëpunimit me krimin e organizuar, mafien ndërkombëtare dhe kapjen e shtetit duke i mohuar vendeve të Ballkanit Perëndimor integrimin e shpejtë të tyre në BE, sidomos në kushtet e favorizuara për një veprim gjeopolitik nga Evropa.
Lëvizja studentore në Serbi kundër korrupsionit dhe shtetit të së drejtës është jo vetëm një lëvizje frymëzuese për popujt liridashës dhe shoqëritë demokratike por edhe mbylljes së një projekti nacionalist destabilizues në Ballkan. Mësimi më i madh i kësaj lëvizjeve është se bashkimi i të gjitha forcave demokratike opozitare, pa ndarje dhe pa paragjykime , te cilat sjellin fitoren e madhe përballë cdo autokracie që ka kapur shtetin.
Në planin ndërkombëtar është shkatërrimi i një projekti anti-evropian për të krijuar zona të hapura influence për fuqitë e huaja në zemër të Evropës. Ajo që pritet për të varrosur shpejt dhe përfundimisht këtë projekt është përfundimi me sukses i lëvizjes heroike të studentëve Shqiptarë për të shkatërruar narko-shtetin në Shqipëri, duke i kthyer Shqipërisë demokracinë dhe popullit dinjitetin.
Rama dhe Vuçiç erdhën në skenën ballkanike si një projekt dhe do të ikin të dy së bashku. Rënia e Vuçiç e bën vasalin e tij pa asnjë vlerë. Shqipëria ishte e fundit që bëri ndryshimin e sistemit politik drejt demokracisë, pas rënies së Çausheskut në vitet ’90. Por sot opinioni publik në Shqipëri është shumë pro-perëndimor dhe mbi të gjitha i ndërgjegjshëm në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës.
Rinia e mrekullueshme, atdhetare e Shqipërisë po bën ndryshimin duke e hedhur diktatorin e fundit Rama në koshin e plehrave.
© SYRI.net