Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar pas zgjedhjeve në Serbi, duke e cilësuar Aleksandër Vuçiçin si një nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit. Berisha tha se populli serb e nxori nga pushteti përmes votës dhe e akuzon atë për përfshirje në krime lufte, mbështetje ndaj Rusisë dhe bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama kundër Kosovës.
Berisha në një konferencë për shtyp e përshkruan Vuçiçin si ish-badigardin dhe pasardhësin shpirtëror të Vojislav Sheshelit, duke e akuzuar për pjesëmarrje aktive në gjenocidin serb në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe për organizimin e të ashtuquajturit “safari vrasës” ndaj myslimanëve në Sarajevë.
Berisha e akuzon gjithashtu presidentin serb për mbështetjen e Ratko Mlladiçit, të cilin e cilëson si kasapin e Bosnjës, si dhe për organizimin e vrasjeve politike të udhëheqësve serbë në Kosovë, duke përmendur Oliver Ivanoviçin.
Sipas kreut të PD-së, Vuçiç ka mbështetur projektet e Serbisë së Madhe dhe ka dërguar grupe terroriste në Kosovë. Berisha përmend edhe ceremoninë shtetërore të varrimit të Ratko Mlladiçit, duke theksuar se Vuçiç e përdori figurën e tij gjatë fushatës zgjedhore për të siguruar vota.
“Alexandër Vuçiç ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan, i cili pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e shndërroi Serbinë në prapavijë të fuqishme të Rusisë në rajon”, thuhet në reagimin e Berishës.
Kryetari i PD-së e lidh politikën e Vuçiçit edhe me kryeministrin Edi Rama, duke i akuzuar të dy se kanë bërë gjithçka për ndarjen e Kosovës. Ata kanë ndërmarrë nisma të porositura nga Kremlini, duke përmendur projektin “Ballkani i Hapur”.
Berisha ngre gjithashtu akuza për bashkëpunim të ngushtë mes tyre në trafiqe kriminale ndërkombëtare, përfshirë trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera në komunat në veri të Kosovës.a.b





