Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Nëse Berisha vijon në krye të opozitës, PD do të dalë nga harta e historisë



Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar zhvillimet politike në Serbi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e krahasuar situatën atje me atë në Shqipëri. Në një intervistë me Ola Brukon në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ai deklaroi se Serbia dhe Shqipëria kanë ngjashmëri në mënyrën e ushtrimit të pushtetit, ndërsa kritikoi opozitën për mungesën e reformimit.

Salianji tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç përballej me një opozitë të përçarë dhe të vjetëruar, ndërsa pretendoi se situata kishte ngjashmëri me atë shqiptare.

“Vuçiç ishte autokrat para lëvizjes studentore. Ka ngjashmëri si dy pika uji me Shqipërinë. Kishte një opozitë të përçarë e që refuzonin të reformoheshin pavarësisht vjetërimit, si dhe kishte në dorë drejtësinë”, u shpreh ai.

Sipas Salianjit, zhvillimet në Serbi tregojnë se opozitat tradicionale rrezikojnë të humbasin përfaqësimin nëse nuk ndryshojnë. Ai deklaroi gjithashtu se, sipas tij, Shqipëria është tashmë i vetmi vend në rajon që drejtohet nga një autokrat, duke pretenduar se kryeministrit Edi Rama i janë dobësuar aleancat në rajon.

Ish-deputeti u ndal edhe te Partia Demokratike, duke argumentuar se largimi i Sali Berishës nga drejtimi i saj dhe hapja ndaj të rinjve janë të domosdoshme për të ardhmen e opozitës.

“Berisha ka në pushtet ka 36 vite, më shumë se çdokush tjetër. Ajo që ndodhi në Serbi është që Lista Studentore jo vetëm që mundi Vuçiçin, por fshiu nga harta opozitën e vjetër. Berisha i Serbisë kishte mbi 60 mandate, pas ditës së djeshme mori 0 deputetë”, tha Salianji.

Ai u shpreh se PD-ja duhet të ndryshojë drejtimin dhe të krijojë hapësira për të rinjtë, duke paralajmëruar se, nëse Berisha vijon të qëndrojë në krye të saj, partia rrezikon të humbasë rëndësinë politike.

“Nëse largohet Berisha, Rama bie më shpejt dhe PD duhet të hapet për t’u drejtuar nga të rinjtë. Nëse Berisha vijon të rezistojë në krye të opozitës, më vjen keq ta them, por PD do të dalë nga harta e historisë”, përfundoi ai.