Tuesday / October 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

INSTAT: Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në Shqipëri, gati dyfish më shumë se të moshuarit

Share Share Icon

Fëmijët janë grup-mosha më e rrezikuar nga varfëria në Shqipëri, me një probabilitet pothuajse dy herë më të lartë se të moshuarit.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, 26.2% e fëmijëve të moshës 0-17 vjeç ishin në rrezik për të qenë të varfër, në krahasim me 14% të personave mbi 65 vjeç. Kjo do të thotë se më shumë se një në katër fëmijë jeton në një familje me të ardhura nën kufirin e varfërisë relative.

Të dhënat e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregojnë se rreziku i varfërisë bie me rritjen e moshës. Për grup-moshën 18-64 vjeç, treguesi ishte 18.5%, ndërsa te personat mbi 65 vjeç zbriste në 14%.

Diferenca e madhe mes fëmijëve dhe të moshuarve lidhet kryesisht me mënyrën se si sigurohen dhe shpërndahen të ardhurat brenda familjeve. Fëmijët nuk kanë të ardhura të tyret dhe niveli i jetesës së tyre varet tërësisht nga të ardhurat e prindërve ose të anëtarëve të tjerë të familjes.

Në familjet me fëmijë, veçanërisht ato me disa fëmijë, të ardhurat nga puna duhet të mbulojnë nevojat e një numri më të madh personash. Kur vetëm njëri prind punon, pagat janë të ulëta ose punësimi është i paqëndrueshëm, rreziku që të ardhurat për frymë të bien nën kufirin e varfërisë rritet.

Një tjetër faktor është barra e shpenzimeve për rritjen e fëmijëve, nga ushqimi dhe veshmbathja te arsimi, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Këto shpenzime ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare, ndonëse treguesi i INSTAT mat varfërinë në bazë të ardhurave dhe jo drejtpërdrejt të shpenzimeve.

Ndryshe nga fëmijët, një pjesë e madhe e të moshuarve kanë një burim relativisht të qëndrueshëm të ardhurash nga pensionet, pavarësisht nivelit të tyre shpesh të ulët. Pensioni siguron një të ardhur të rregullt, ndërsa familjet e përbëra vetëm nga një ose dy pensionistë kanë më pak persona në varësi ekonomike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se të moshuarit kanë një standard më të mirë jetese se fëmijët. Treguesi mat varfërinë relative, pra të ardhurat e familjeve në raport me nivelin e përgjithshëm te të ardhurave në vend, dhe jo aftësinë reale për të përballuar të gjitha nevojat e jetesës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat kanë një rrezik pak më të lartë varfërie se djemtë. Diferenca gjinore bëhet më e dukshme në moshat e mëdha, ku 15.1% e grave mbi 65 vjeç janë në rrezik varfërie, krahasuar me 12.9% të burrave.

Përqendrimi i varfërisë te fëmijët ka pasoja që shtrihen përtej gjendjes së sotme ekonomike të familjeve. Të ardhurat e pamjaftueshme mund të kufizojnë mundësitë për ushqyerje cilësore, arsim dhe zhvillim, duke rritur rrezikun që pabarazitë ekonomike të trashëgohen nga një brez te tjetri.

Të dhënat sugjerojnë se ulja e varfërisë së fëmijëve kërkon jo vetëm rritje të të ardhurave nga puna, por edhe politika mbështetëse të orientuara drejt familjeve me fëmijë, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta dhe me shumë persona në varësi ekonomike./ B.Hoxha

Burimi: INSTAT

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Parapagimi i tatim fitimit konsiderohet detyrim tatimor, do zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë

Paketa e re fiskale pritet të forcojë disiplinën e pagesës së parapagimeve, zbatimin e kufizimeve për pagesat dhe arkëtimet me para në dorë, përmir...

9 hours më parë 12 Min Lexim

Paketa, propozohet rritje për akcizën e duhanit 4.5%, skedulimi i ri deri më 2033 e rrit 32%

Nga 1 janari 2027 akciza për duhanin do të rriten me 350 lekë për kg. Paketa e re fiskale propozon rritje të akcizës për duhanin, duke parashikuar ...

9 hours më parë 5 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!