Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali për zhvillimet në Serbi: Ndryshimi duhet të sjellë dialog dhe respekt për sovranitetin e Kosovës



Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar për zhvillimet politike në Serbi, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si një mundësi për ndryshim politik dhe për përparimin e marrëdhënieve në rajon.

Në reagimin e saj, Spiropali u shpreh se vota e qytetarëve serbë shënoi një kërkesë të qartë për ndryshim, duke shpresuar se kjo do të hapë një kapitull të ri për demokracinë dhe bashkëpunimin në Ballkan.

“Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme”, shkruan ajo.

Spiropali theksoi se zhvillimet e fundit krijojnë një mundësi për rajonin, por rezultatet e saj do të varen nga hapat që do të ndërmerren më tej. Ajo iu referua edhe deklaratave të kancelarit gjerman Friedrich Merz për ngecjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve.

Sipas Spiropalit, drejtuesit e rinj në Serbi duhet të dëshmojnë gatishmëri për dialog, të respektojnë sovranitetin e Kosovës dhe të distancohen nga mendësia shoviniste.

Ministrja përcolli gjithashtu një urim për përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, duke shprehur shpresën që përfaqësimi i tyre parlamentar të sjellë më shumë barazi, të drejta dhe mundësi për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Në përfundim, Spiropali theksoi se Shqipëria ka interes për një Serbi demokratike dhe të orientuar drejt Evropës. Ajo vuri në dukje se mbështetja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara duhet të shoqërohet me hapa konkretë drejt paqes së qëndrueshme dhe përmirësimit të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.