Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka zgjeruar verifikimet derë më derë në 30 fshatra të vendit, me synimin për të evidentuar banesat me problematika në dokumentacionin e pronësisë dhe për të ndihmuar qytetarët në plotësimin e dosjeve.
Në Palasë dhe Ilias të Himarës janë evidentuar rreth 1,000 banesa. Sipas të dhënave të publikuara nga ASHK-ja, janë dhënë 22 vendime përfundimtare, ndërsa 38 banesa ndodhen në fazën e fundit të procedurës, në afishim publik.
Ndërkohë, 55 subjekte duhet të dorëzojnë dokumentet që u mungojnë pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës në Vlorë. Emrat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë janë publikuar në portalin e institucionit, në mënyrë që qytetarët të informohen dhe të vijojnë procedurat përkatëse.
Verifikimet në zonën e Himarës janë zgjeruar edhe në Kallarat, Vranisht, Bolenë, Tërbaç dhe Kuç.
Paralelisht, specialistët po punojnë në Bashkinë Finiq, ku pas evidentimit të 150 banesave në gjashtë fshatrat e parë të Njësisë Administrative Finiq, procesi ka vijuar në 10 fshatra të Njësisë Administrative Aliko.
Grupet e punës janë angazhuar gjithashtu në Velabisht të Beratit, në Leskovik dhe në fshatin Kus të Kasharit. Në Leskovik janë evidentuar rreth 250 banesa.
Sipas ASHK-së, puna derë më derë synon të identifikojë nga afër problematikat e pronësisë, të përshpejtojë trajtimin e dosjeve dhe t’u japë banorëve informacion mbi dokumentet që u mungojnë dhe hapat që duhet të ndjekin për përfundimin e procedurave ligjore.
