Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike lidhur me dhunën e policisë ndaj protestuesit Erjon Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës.
Në reagimin e saj, Zhupa kërkoi të sqarohet se kush dha urdhrat për veprimet e efektivëve dhe nëse do të ketë përgjegjësi për ngjarjen.
“Në rastin e Erjonit, të cilit i uroj me zemër shërim të shpejtë, ai fillimisht duhet të dilte dhe të thoshte kush e urdhëron Policinë e Shtetit që të sillet si milicia serbe? Kush është ai që i detyron policët të mos zbatojnë ligjin, por të zbatojnë urdhrat e Edi Ramës? Kush është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i asaj ngjarjeje? A do të mbajë njeri përgjegjësi për atë ngjarje?”, deklaroi Zhupa.
Deputetja e PD-së kritikoi gjithashtu mënyrën se si kryeministri ka folur për dërgimin e të riut në Romë për trajtim të specializuar. Sipas saj, Rama e ka paraqitur këtë si një akt bamirësie, ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar nuk arriti t’i ofronte zgjidhjen e nevojshme.
“Edi Rama zgjodhi të shfaqej si një filantrop që dhuronte udhëtime shëndetësore në Romë me paratë e buxhetit, kur fatkeqësisht sistemi shëndetësor shqiptar dështoi për ta kuruar Erjonin. E futën në operacion dhe nuk i dhanë dot zgjidhje dhe ishin të detyruar ta dërgonin në Itali”, u shpreh Zhupa.
Ajo tha se rasti i Erjonit pasqyron, sipas saj, problemet me të cilat përballen qytetarët kur kërkojnë shërbime shëndetësore dhe mbrojtje nga institucionet shtetërore.
“Po pikërisht për këtë po protestojnë qytetarët shqiptarë, që sot kemi një shtet që nuk i përgjigjet dot nevojave të tyre. Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja kur ai është vetë problemi, kur ai me vendimmarrjet dhe me mosvendimmarrjet e tij e ka katandisur Shqipërinë në këtë gjendje që jemi sot”, deklaroi deputetja e opozitës.
Në përfundim të reagimit, Zhupa u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin studentët dhe të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
“Ndaj, më shumë se kurrë duhet t’i mbështesim studentët. Duhet të jemi në krah të tyre edhe sot në protestën që kanë në orën 2 para Ministrisë së Arsimit”, përfundoi ajo.
