Nga Boldnews.al
Në vjeshtën e vitit 2019, me një gotë verë përpara në hollin e një hoteli në New York, ndërsa gatuanin nismën “Ballkani i Hapur”, as presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe as Edi Rama, nuk e mendonin se për arsye të njëjta dhe në kohë të ndryshme, të dy do të përballeshin me revoltën e qytetarëve, në ballë të së cilëve del rinia.
Pas dy vitesh protesta nga studentë dhe qytetarë që nisën revoltën pas shembjes së një stacioni treni ku humbën jetën 16 persona, presidenti serb Aleksandër Vuçiç më në fund ra. Humbi zgjedhjet dhe pranoi rezultatin. Përballë tij nuk qe një subjekt politik tradicional, por “Lista Studentore” (formacion politik krejtësisht i ri), i përbërë kryesisht nga studentë, pedagogë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Studentët e nisën protestën, ata e mbajtën gjallë edhe kur shtypeshin dhe në fund ata u bënë shkaku i një ndryshimi politik i cili shpresohet se nuk është një rrotacion normal, por ndryshim konceptesh për mënyrën qeverisëse.
Vuçiç konsiderohej gjerësisht një autokrat i theksuar, i lidhur fort me interesa ekonomike të biznesit oligarkik dhe krimin e organizuar. Kontrollonte thuajse gjithçka, mposhti opozitën tradicionale me kulisa, përçarje dhe blerje, duke e tallur dhe përbuzur.
Njëriu që shihej nga ndërkombëtarët si më i mirë mes të “këqinjve”, me të cilin duhet të bëje dille pasi në mos faktor stabiliteti ishte faktor i rëndësishëm destabilinteti, më në fund ra, në një imazh të lodhur, të hutuar dhe pa asnjë shenjë shprese teksa mbante radhë në vargun e gjatë të votuesve që kishin aq shumë shpresa në ndryshim.
Ngjashmëri të jashtëzokonshme me Edi Ramën. Jo vetëm në gjatësi fizike dhe jetëgjatësi pushteti por edhe në model. Oligarkia, krimi i organizuar dhe politika në pushtet janë trekëndëshi që futi në rreth gjithë qytetarët, të shtypur dhe mohim të së drejtave bazë.
Fundja në të vetmin model që njohin autokratët kudo në botë… Edhe në “marrëdhënie ndërkombëtare” më shumë se shtetin dhe institucioni si Rama ashtu edhe Vuçiç njohin lobimin, duke marrë me vete kudo hartën e vendit për tu afruar “lobistëve” gjithçka që kërkonin.
Çfarë ngashmërie… Edhe Vuçiç tentoi “dill ekonomik”, ndërsa i premtoi Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit Amerikan Donald Trump, troje private dhe asete publike për të ndërtuar komplekse të mëdha hotelesh. Edhe Rama i premtoi Kushnerit Ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin. Në të dyja vendet, si në Serbi ashtu edhe Shqipëri, planet kanë rënë. Drejtësia atje dhe këtu i thanë ‘Jo’, “pazarit ballkanik”, por me pikëpyetjen e madhe se nga e morën guximin të dilnin kundër.
Mos jemi para një “Pranvere ballkanike” për largimin e autokratëve të pështirë të gjashtë vendeve? Në Maqedoninë e Veriut ra Nikolla Gruevski, një autokrat trazovaç i korruptuar që kërcënonte me destabilizim, në Malin e Zi ra Milo Gjukanoviç, politikan pushteti i përjetshëm në trazicionin e tejzgjatur, në Kosovë ranë njëri pas tjetrit “komandantët e luftës”, që nuk bënë mirë në kohë paqeje, ndërsa në Shqipëri Edi Rama mbahet, por pa e ditur edhe për sa kohë, kur vendi është përfshirë nga revoltat e të rinjve që dita ditës po tëheq shtresa të shumta të qytetarëve.
Mos do i shtypë me forcën e dhunës nga punojës të policisë dhe patrotazhistë me bishta lopatash dhe maska? Edhe Vuçiçi e provoi, por dështoi. Iku por disi butë, duke i thirrur ndërgjegjes së fundit. Rama nuk po e bën, por “Pranvera ballkanike” mund të vijë më shpejt sesa Rama mund ta presë.














