
Këngëtari amerikan Chris Brown është dënuar me tetë muaj burg, por dënimi i është pezulluar për një vit, për një incident të ndodhur në maj të vitit 2023 në një klub nate në Mayfair të Londrës. Brown, 37 vjeç, në korrik u deklarua fajtor për veprën penale të përfshirjes në një përleshje të dhunshme.
Sipas raportimeve nga seanca, avokatja mbrojtëse e këngëtarit, Sallie Bennett-Jenkins, deklaroi se klienti i saj u kërkon ndjesë të gjithë personave që ndodheshin në klub në momentin e incidentit.
“Ky është një incident i shëmtuar dhe i pakëndshëm”, u shpreh avokatja, duke shtuar se ngjarja zgjati pak më shumë se 17 sekonda, por jo më shumë se 20 sekonda.
Ajo theksoi se incidenti mund t’u ketë shkaktuar shqetësim personave të pranishëm dhe se Brown u kërkon atyre “ndjesë të thellë”. Para nisjes së seancës, këngëtari dhe bashkëpandehuri i tij u fotografuan teksa mbërritën në gjykatë, ku prania e fansave dhe e përfaqësuesve të mediave tërhoqi vëmendjen në hyrje të godinës.
Gjatë seancës, Brown u ngrit për të komunikuar me ekipin e tij ligjor përmes xhamit ndarës dhe më pas u ul sërish, duke ulur kokën dhe mbyllur sytë. Më vonë, ai u pa duke biseduar me bashkëpandehurin Akinlolu. Ndërkohë, bashkëpandehuri i Brownit dhe trajneri i tij vokal, 40-vjeçari Omololu Akinlolu, është dënuar me katër muaj burg, dënim që gjithashtu i është pezulluar për një vit.






