Në ditën e 14 të protestës në Tiranë, para kryeministrisë u mblodhën vetëm një grup pjesëmarrësish, një pjesë e tyre të maskuar.
Në sofrën e dialogut të vendosur nga kryeministri para godinës qeveritare, protestuesit vendosën në shenjë simbolike një karikaturë të Edi Ramës e Aleksandër Vuçiçit, që më pas i vunë edhe flakën.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit qëndruan për gati 3 orë pa shënuar incidente e tensione, ndërsa edhe policia qëndroi e distancuar dhe pa masa shtesë.
Protesta nisi si zakonisht rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku sot pati pjesëmarrjen më të ulët.
Ndërsa gazetari i Report Tv raportonte nga protesta para kryeministrisë, disa prej protestuesve, dy prej tyre me maskë, e rrethuan për të përçuar disa mesazhe.
Njëri prej tyre, i maskuar, mbante një fashë të kuqe ku shkruhet ‘Albania.’ Një tjetër, pa maskë, bëri simbolin e shqiponjës me duar, ndërsa i treti bëri shenjën ‘ok.’
Të pyetur nëse kishin ndonjë koment, nuk munguan as thirrjet ndaj kryeministrit Rama:
-Ramës i them të japë dorëheqjes sa më shpejt! Mos e shty deri në luftë civile!
-Nuk do të dorëzohemi derisa të ikë Edi Rama!
Protestuesit kanë lënë mbi sofrën e dialogut foto të kryeministrit Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili humbi zgjedhjet të dielën. Më pas u vënë edhe flakën.
Fotot janë të realizuara me Inteligjencë Artificiale ku të dy liderët shihen duke qarë para një kutie votimi. Vuçiç mban në dorë një letër ku lexon ‘zgjedhjet’ ndërsa pas tyre ndodhen protestuesit me pankartën ‘fitore.’ Në kutinë e votimit është shkruar ‘humbëm.’
Para kryeministrisë, vihet re se ka edhe prani të protestuesve të maskuar.











Komente
Komento